Pak ditë pasi ktheu në parlament ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar, presidenti i vendit, Ilir Meta, nga Shkodra sqaroi edhe një herë kthimin e tij duke iu referuar argumenteve të paraqitura dje nga Erald Kapri, të cilin e cilësoi historian .

“Sot lexova dokumentet e një historiani shqiptar se gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e Tiranës, edhe pse Mehmet Shehu u kishte kërkuar anglezëve që për lirimin nga nazistët të bombardohej qendra e Tiranës, ata nuk kishin pranuar këtë urdhër për arsye se nuk kishin dashur të dëmtohej ky kompleks godinash, që mbart vlera të rëndësishme për kryeqytetin”.

Kjo vërtetohet edhe nga video e shpërndarë nga vetë Lulzim Basha ku duket se historinë që përmend Meta e ka thënë Kapri. Por ndonëse presidenti është frymëzuar nga Kapri duke e cilësuar historian, rezulton se ky i fudnit jo vetëm që nuk ka studiuar për histori, por në fakt është tërësisht politik.

Në kohën kur Basha ishte në Bashkinë e Tiranës, Kapri ka qenë përgjegjës për mediat , ndërkohë që aktualisht është me mediat te PD. Gjithashtu, me mbështetjen e anëtarëve të djathtë, ai është zgjedhur edhe anëtar në Këshillin e Ankesave të Autoritetit të Mediave Audio-vizuale.

Mungesën e edukimit në lëmin e historisë duket se e pranone dhe vetë Kapri, i cili në CV e tij të publikuar te AMA, shkruan se ka përfunduar studimet Master për Komunikim dhe rendit eksperiencën e tij në media, duke “fshehur” punën në shtet në kohën e Bashës.

Siç mund të shihni nga fotot,Kapri rezulton në bashkëbisedimin me gazetarët të Bashës në një moment pas konference, ndërkohë shihet edhe te çadra e ngritur vjet nga Basha në bulevard.