Luka Modric është njeriu i momentit në Rusi dhe është aktualisht lojtari me më shumë kredenciale për të fituar “Topin e Artë”. Pas ndeshjes së fazës së 1/8 ndaj Danimarkës në vendin e tij në Kroaci filluan që të shpallnin kandidaturën e mesfushorit të Real Madrid për të fituar “Topin e Artë”, çmimin prestigjioz individual që gjatë dekadës së fundit ka qenë pronë i Messit e Ronaldos.

Por pas paraqitjes së shkëlqyer të bërë ndaj Rusisë, kandidatura e tij ka marrë edhe më shumë pikë dhe është diçka që po mendohet nga gazetarët dhe specialistët e futbollit në gjithë botën. Në përfundim të çerekfinaleve, ku Kroacia kaloi mes katër më të mirave, Modriç u ndal dhe foli për mediat nga mbarë bota duke u përgjigjur në të gjitha gjuhët, anglisht,s panjisht dhe në gjuhën kroate.

Nga të gjithë gazetarët pyetja e parë që i bëhej ishte kjo. “A e sheh veten si fitues i “Topit të Artë”? Dhe kapiteni i Kroacisë u përgjigj: “Është diçka që nuk e kam si obsession dhe për momentin nuk e mendoj, pasi dua që të arrij në finalen e Kupës së Botës. Pavarësisht se Modriç tregohet modest, numrat flasin në favor të tij.

Luka është shpallur tre herë lojtari i ndeshjes nga 5 të luajtura deri tani. Ndaj Rusisë ishte lojtari që preku më shumë topin, po ashtu ka shënuar te goditjet e penalltive ndaj Danimarkës dhe Rusisë dhe ka shënuar edhe dy gola ndaj Nigerisë dhe Argjentinës.

Me Cristiano Ronaldon, Messin dhe Neymar jashtë Botërorit emrat e tjerë kandidatë për “Topin e Artë” janë Griezmann që fitoi edhe Europa League me Atleticon, Mbappe që fitoi tre trofe me PSG-në. De Bruyne është kandidat potencial, pasi fitoi Premier League dhe Harry Kane autor i 41 golave me Tottenham.

Të gjitha këta emra ende në garë për Kupën e Botës dhe me potencial të madh. Ajo që do të ndodhë në ndeshjet finale të Kupës së Botës patjetër që do të përcaktojë edhe fituesin e “Topit të Artë”, por momentalisht këtë garë e kryeson Luka Modriç.