“Ushtria e Serbisë ka ngritur gatishmërinë luftarake në të gjithë territorin e saj, për shkak të tensioneve në Kosovë”, kështu e nis lajmin gazeta serbe “Novosti”.

Sipas kësaj të fundit pas takimit të së shtunës, të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, organet e sigurisë në Serbi kanë rritur aktivitetet e tyre për të parandaluar planet e autoriteteve në Prishtinë që të shkaktojnë trazira në Kosovë, por edhe veprimtarinë e qarqeve të caktuara në Serbi, të cilat me lajme të rreme po shkaktojnë shqetësim në mesin e popullatës serbe në veri të Kosovës dhe në jug të Ibrit.

Burime të brendshme të gazetës “Novosti” informojnë se kreu shtetëror serb po shqyrton masat që do të ndërmerren për shkak të shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit dhe refuzimit tash e pesë vite të shqiptarëve për të krijuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Gjithashtu gazeta shkruan se Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë u mblodh të shtunën paradite për gati dy orë.