Puna restauruese dhe konservuese në Qendrën Mesjetare Islamike, e cila ndodhet brenda Qendrës Historike, të qytetit të Beratit ka nxjerrë në dritë një pjesë mozaiku, zbukurim i një vepre ndërtimore që mendohet se i përket shek.V-VI si dhe shumë gjetje të tjera arkeologjike, të cilat do të ndryshojnë rrjedhën historike të qytetit, rreth ekzistencës së jetës jashtë kalasë së tij.

Në Qendrën Mesjetare Islamike që ndodhet shumë pranë qendrës së qytetit, prej një muaji punohet në dy objekte kulti, një xhami dhe një teqe. “Xhamia Mbret” objekt i kategorisë së parë dhe “Teqeja e Halvetive”, që gëzon të njëjtin status, janë në restaurim e sipër.

Dritan Çoku specialist arkeolog pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Berat ka një muaj që po punon me zbulimet pranë objekteve që po restaurohen. Arkeologu ka ndjekur proçesin e konstatimit, gërmimit dhe ka përgatitur raportet për çdo rast dhe tashmë është në pritje të vendimit që do të merret nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë.

“Berati prezantohet në kërkimin shkencor nëpërmjet gjetjeve të reja. Gjatë punimeve që po kryhen për punimin dhe restaurimin e ne qendrën mesjetare islamike në qytetin e Beratit, aty u hasën mbetje skeleëtore. Gjatë gërmimeve u nxorrën në pah pjesë mozaiku shumë ngjyrësh, që mendohet të ketë zbukuruar dyshemenë e një ndërtese të periudhës së antikitetit të vonë.”

Dritan Çoku, arkeolog

Gjatë punimeve që po kryen në anën e jashtme të objektit, “Xhamia Mbret”, në drejtimin jugor të saj, rreth kanaleve ku po punohej për izolimin e lagështisë së mureve, u hasën mbetje skeletore, njerëzore.

Një gjetje tjetër mjaft interesante është zbuluar gjatë adrenazhimit në Berat, një strukturë muri gjysëm harkore që ndodhet në pjesën e themeleve të teqesë së Helvetimit në Berat. Këto gjetje pasqyrojnë vlerën e monumentit e historisë së tyre, por njëkohësisht pasqyrojnë dhe plotësojnë me të dhëna historikun e Beratit.

“Punimet janë në një fazë paraprake, nuk është se kemi avancuar shumë rreth restaurimit të strukturës së mureve dhe pjesës së interierit, kjo për arsye sepse ne jemi duke u treguar shumë të kujdesshëm për zbulimet,”

Drejtori i DRKK Berat, Eugen Kallfani

“Fillimisht po kryen sondazhe, ashtu siç mund ta shihni dhe ju në faqen jugore të “Xhamisë Mbret” janë bërë sondazhe, të cilat mund të na japin indicje dhe fakte të reja dhe sëbashku me profesorë dhe akademik dhe restaurator të nivelit shumë të lartë qoftë vendas ashtu dhe të huaj ne jemi duke bashkëpunuar ngushtësisht për të gjitha zbulimet,” shtoi ai.

Sipas specialistëve faktet e reja që po dalin në dritë, do të jenë një risi dhe një mundësi e mirë për pjesën e trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit, por në tërësi edhe për turizmin dhe zhvillimin e tij.

Por, zbulimi i skeletit njerëzor duket se është vetëm maja e ajsbergut, pasi zbulime të tjera janë hasur dhe që duket se do të vazhdojnë. Mozaiku deri më tani është zbuluar në një sipërfaqe prej një metër e gjysëm katror, ndodhej rreth 77 cm nën kuotën e nivelit të oborrit, është me tre ngjyra, gur ngjyrë gri, të bardhë dhe e kuqe e tullës.