Në “Luzhniki Arena” ka ndodhur surpriza më e madhe deri në këtë pikë të Kupës së Botës, pasi Meksika fitoi 1-0 ndaj Gjermanisë, kampione e botës në fuqi.

Një Meksikë e shkëlqyer në pjesën e parë bëri mrekullinë, duke shënuar me anë të sulmuesit Hirving Lozano, gjatë një kundërsulmi të shkëlqyer të amerikano-latinëve. Futbollisti i PSV Eindhoven mposhti Neuer, pas pasimit të marrë nga Javier Hernandez, në minutën e 35-të.

Ky ishte goli i parë i pësuar nga Gjermania në një Kupë të Botës, pas 563 minutash, që nga ndeshja kundër Ganës në “Brazil 2014”. Meksika nuk e humbiste topin dhe sa herë e kishte në zotërim vinte në vështirë mbrojtjen e kampionëve të Botës.

Në pjesën e dytë, Gjermania dominoi në qarkullimin e topit dhe teriotarialisht, por pa e thyer për asnjë moment mbrojtjen e Meksikës.

Vlen për t’u përmendur se në 15 minutat e fundit të ndeshjes te Meksika luajti edhe Rafael Marquez, i cili barazoi rekordin me pesë pjesëmarrje në historinë e kampionateve botërore.

Në ndeshjen tjetër, Gjermania duhet të fitojë me çdo kusht ndaj Suedisë, për të pretenduar kualifikimin, ndërsa Meksika e sheh veten në një pozitë të favorshme në Grupin F dhe do të ndeshjet me Korenë e Jugut.