Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri u shpreh sot se zona e Fierit në Shqipërinë e mesme, po shndërrohet në një epiqendër të gazifikimit jo vetëm për rajonin por edhe më gjerë, pasi aty kalon Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) dhe do të fillojë ndërtimi i gazsjellësit Adriatiko-Jonian ose siç njihet ndryshe IAP.

I pranishëm të premten në Fier, në ceremoninë e përurimit të punimeve të stacionit të kompresorëve të gazit, një tjetër vepër madhore e projektit të gazsjellësit TAP, Gjiknuri tha se “TAP është jo vetëm një nga investimet më të rëndësishëm në Shqipëri, që po përfundon ndërtimin, por impakti i tij është në dy drejtime strategjike afatgjatë; së pari Shqipëria ka mundësinë të kthehet në një hap energjitik jo vetëm në furnizimin me gaz të vendit, por edhe për shkak se Fieri do të jetë nyja ku do të fillojë edhe gazsjellësit IAP, për të cilin po punojmë”.

“Në këtë stacion kompresori do të jetë edhe pika e daljes për Shqipërinë. Shumë shpejt do të ndërtohet edhe një stacion tjetër i cili do ti transferohet qeverisë shqiptare dhe që do të administrohet nga operatori Albgaz. Dua të deklaroj gjithashtu që së fundmi përfunduam negociatën me SNAM, me kompaninë italiane për të formuar kompaninë e përbashkët e cila do të administrojë të gjithë menaxhimin e TAP-it, pra pjesën e mirëmbajtjes suportin për funksionimin e TAP-it në Shqipëri”, tha ministri.

Një element tjetër, nënvizoi Gjiknuri, është transferimi i dijeve teknike. “Shumë kompani shqiptare qe kanë punuar me TAP kanë fituar aftësi e dije që i kanë bërë më konkurruese ato në tregjet ndërkombëtare. Ka disa kompani që kanë punuar këtu dhe kanë fituar vepra të tjera, apo linja prodhimi që i kanë shërbyer TAP, pra po eksportojnë teknologji nga Shqipëria”, tha Gjiknuri,ndërsa theksoi se, të një rëndësie të veçantë janë edhe projektet që ka realizuar TAP në ndihmë të komunitetet.

“Investime në rrugë, shkolla apo vepra të tjera po i paraprijnë investimit në rrjetin e energjisë elektrike në këtë zonë”, tha ai.

“Shqipëria dikur mendoj që ishte vendi më problematik për ecurinë e projekteve, sot përmes TAP është një realitet suksesi i investimeve të huaja”, u shpreh ministri.j.j