“Ritmi i procesit të vetingut duhet të përshpejtohet nga institucionet e përfshira në këtë process, kjo për të bërë të mundur ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë sa më pare”- apeloi sot ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

E pranishme gjatë prezantimit të EURALIUS V në Tiranë, projekt i asistencës teknike ligjore i financuar nga BE, që synon forcimin e sistemit shqiptar të drejtësisë, Gjonaj vuri në dukje përpjekjet për të ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur, transparent, eficent dhe ajo që është më e rëndësishmja, i përgjegjshëm dhe i aftë për t’u vetëkorrigjuar.

“ Por jemi të vetëdijshëm që pa mbështetjen politike po aq edhe teknike të Ambasadorëve të BE, SHBA, Gjermanisë Austrisë Holandës etj, dizenjimi dhe miratimi I reformës në drejtësi do të ishte tepër I vështirë. Por sot kemi përfunduar një pjesë të mirë të rrugëtimit. Tashmë ndodhemi përpara sfidave të reja, e pikërisht për zbatimin e kësaj reforma. Përpjekjet e shkaktuara nga kundërshtarët e reformës, do të mbeten vetëm përpjekje të dështuara”, tha ministrja.

Ajo shtoi se procesi i vlerësimit kalimtar ka prodhuar rezultatet e para, të ndjeshme për vetë sistemin dhe për qytetarët shqiptarë dhe shumë shpejt pritet të përfundojë rivlerësimi i listës prioritare të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Por vijoi ministrja, me ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësore dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, futet në rrjedhën e duhur mirëadministrimi i drejtësisë dhe i sistemit gjyqësore.

“Sigurisht, këto procese nuk mund të përfundohen vetëm, nuk duam ti përfundojmë të vetëm. Prandaj sot kam kënaqësinë që ndodhem në eventin lançues të misionit Euralius V të cilët në të njëjtin përkushtim me projektin e mëparshëm, do të asistojnë ministrinë e Drejtësisë, Kuvendin si dhe organet e reja të sistemit të drejtësisë për t’i shërbyer më mirë qytetarëve shqiptarë, për të garantuar atë ç’ka ata meritojnë, një sistem drejtësisë që jep drejtësi dhe jo padrejtësi”.

Euralius V me një konsorcium të ri të disa vendeve të BE si Gjermani, Austri Holandë dhe Itali, tha Gjonaj, do të këtë një sfidë shumë të madhe përpara, të përmbushë dhe të tejkalojë pritshmëritë e mëdha të vendosura në sajë të arritjeve të misionit të Euralius IV.

“Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e tjera do të kenë gjithmonë derën e hapur për të bashkëpunuar me Euralius dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtare në zbatimin e reformës në drejtësisë dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Sfida jonë e përbashkët është tashmë përpara dhe pikërisht ka të bëjë me jetësimin e reformës në drejtësi. Qeveria shqiptare, ka jo vetëm vullnetin politik por ka treguar angazhimin konkret në mbështetjen ligjore, financiare dhe infrastrukturore që i është dhënë zbatimit të reformës në drejtësi. Jo më pak se para disa ditësh, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, filloi veprimtarinë e tij në ambiente të rikonstruktuara tërësisht me të gjitha mjetet teknike dhe teknologjike sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare dhe kjo falë mbështetjes së qeverisë shqiptare”, tha më tej ajo.

Në emër të Qeverisë dhe të kryeministrit Rama, ministrja shprehu garancinë për mbështetjen pa ekuivok të çdo procesi që nevojitet për zbatimin e reformës në drejtësi për të kryer të gjitha angazhimet e ndërmarra.

“Por, ashtu si në fazë e parë jam shpresimplotë se do kemi të njëjtën mbështetje të partnerëve ndërkombëtare tashmë për të vënë në jetë zbatimin e sistemit të ri të drejtësi pa asnjë vonesë. Rikthimi i besimit të publikut te sistemi i drejtësisë dhe forcimi i shtetit ligjor, do të jetë sfida jonë e përbashkët gjatë viteve të ardhshme. Ministria e Drejtësisë mirëpret çdo bashkëpunim në rritjen e efincencës profesionalizmit dhe llogaridhënies së sistemit, dhe që i kthen përsëri drejtësinë e munguar shtetasve shqiptarë”, përfundoi Gjonaj