Shërbimet greke të zjarrfikësve kanë qenë në gjendje të identifikojnë 70 nga viktimat e zjarreve shkatërrimtare të javës së kaluar.

Të paktën 92 persona humbën jetën si pasojë e zjarreve, por druhet se kjo shifër mund të rritet, pasi 14 persona mungojnë në apel.

Mbrëmjen e së hënës, një javë pasi zjarret shpërthyen, qindra persona morën pjesë në një ceremoni përkujtimore para Parlamentit grek.

Qeveria ka lajmëruar për një plan veprimi, por njerëzit pyesin sesi një katastrofë e kësaj shkalle ka mundur të ndodhë, ndaj dhe kërkojnë ndryshim.

Të hënën, kryeministri Alexis Tsipras bëri një vizitë të palajmëruar në zonën e Matit, që u godit edhe më rëndë nga zjarret. Atje, ai foli me inxhinierët dhe skuadrat e shpëtimit, por nuk bëri një deklaratë publike.

Por, në një postim në “Twitter”, ai shprehu keqardhjen e tij të papërshkrueshme dhe respektin e pafund për ata që u përballën me flakët, si dhe për njerëzit që janë përfshirë tani në rimëkëmbjen dhe rindërtimin.

Tsipras, gjithsesi është kritikuar për mënyrën sesi qeveria e tij reagoi ndaj katastrofës dhe vizita e tij në Mati ndezi edhe më shumë zemërimin e politikanëve të opozitës.