Aktiviteti ekonomik ka ardhur në rritje, duke mundësuar zgjerimin e punësimit, rritjen e pagave, përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve dhe forcimin gradual të presioneve inflacioniste.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot në konferencën për shtyp, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, se “ekonomia shqiptare vijoi të ndjekë një trend pozitiv zhvillimi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018”.

Këto zhvillime, tha Guvernatori, “janë mbështetur nga përmirësimi i ambientit të huaj, nga përmirësimi i besimit në ekonomi, nga kushtet e favorshme financiare, të diktuara nga politika jonë monetare lehtësuese, si dhe nga goditje pozitive të ofertës. Pritjet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Megjithatë, materializimi i tyre kërkon ruajtjen e kahut lehtësues të politikës monetare, ndërsa balanca e rreziqeve mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm”, theksoi Sejko.