“Humanus”, me shumë humanitet në tregun shqiptar

0

Skeda

Titulli: Humanus

Gjinia: Revistë shoqërore

Faqe: 126

Çmimi: 400Lek

Nga Ben Andoni

Revista e disiplinave shoqërore me emrin “Humanus” është në treg për publikun shqiptar prej pak ditësh. Një premtim i mbajtur, i njërit prej ideatorëve të saj, Fatos Tarifa, që e bashkë-drejton sëbashku me Pëllumb Xhufin dhe Enila Cekon. Emrat që e përbëjnë numrin e parë të Revistës së disiplinave mbi individin dhe shoqërinë janë shumë të njohur dhe të sprovuar në letrat shqipe në lëme të ndryshme.capture1

Publiku shqiptar e ka pasur të nevojshme ardhjen e saj për boshllëkun që përmban me studime të tilla të asimilueshme për një masë të gjerë. Revista humaniste i ka bashkuar në një fill të përbashkët intelektual dhe praktik një grup autorësh shqiptarë dhe amerikanë që kanë kontribuar në numrin e parë, të tillë si Perry Link, Michael Burawoy, Fatos Tarifa, Obrad Saviç, Aleksandër Dhima, Irakli Koçollari, Moikom Zeqo, James Henle, Ilirian Dema, Bavjola Shatro etj. “Ky impuls, –sipas botuesve të revistës Humanus, inspirohet nga projekti bekonian për zhvillimin e njohjes si një forcë për t’i vënë gjetjet e arsyes shkencore në shërbim të emancipimit të mëtejshëm të shoqërisë e të racës sonë humane. Ata shprehen se janë për pavarësinë e arsyes, jo në kuptimin që ajo të shkëputet nga problemet reale të shoqërisë, por që të mos u nënshtrohet interesave të njerëzve ose të grupeve të caktuara me pushtet. Botuesit e revistës deklarojnë se, “Në traditën e humanistëve më të shquar të shekujve të kaluar dhe atyre të ditëve tona, ne nuk besojmë në autoritetin, por në të vërtetën, ndaj dhe kërkojmë që çdo gjë t’ia nënshtrojmë gjyqit të arsyes. Parimi bekonian se e vërteta nuk është pjellë e autoritetit, por e kohës, inspiron qëndrimin tonë ndaj dijes në përgjithësi, ndaj vlerave dhe ndaj idealeve shoqërore”.

Është interesant vëzhgimi që ka bërë z.Tarifa në pikëvështrimin njohës, kur ka theksuar tre çështje themelore me të cilat do të merret ky botim. Kjo lidhet me faktin se një shoqëri nuk mund të jetë plotësisht moderne nëse qëndrimet, veprimet, marrëdhëniet dhe institucionet e saj mbeten të ndikuara negativisht nga traditat. Me një kujdes të theksuar për t’u asimiluar nga publiku, ai ka sqaruar më së miri se shoqëritë që modernizohen institucionalisht dhe zhvillohen si demokraci kapitaliste, por që nuk shkëputen nga handikapët, që lidhen për më shumë liritë  të drejtave njerëzore, kanë më shumë gjasa të dështojnë në përpjekjet e tyre për t’u bërë shoqëri moderne të suksesshme.

Interesant është edhe vëzhgimi për konceptim modernist, që është përshkruar prej ideatorëve të saj dhe mbi të gjitha konceptin për post-modernen. Përmes një teze interesante Tarifa shtron idenë se: njerëzit nuk do të munden kurrë të parashikojnë e të kontrollojnë siç duhet pasojat e padëshiruara të zhvillimit shoqëror, “ne përsëri besojmë se, së bashku, si pjesëtarë të së njëjtës racë humane, duhet të përpiqemi t’u bëjmë ballë forcave sociale shkatërruese përmes modelesh pozitive, të mbështetura në realitet dhe të orientuara drejt së ardhmes, modele jo të ngjashme me sociologjizmin marksist të një “shoqërie të mirë”, që mund të arrihet në rrugë revolucionare, por të ngjashme me atë çka Gidens e quan realizëm utopik, një filozofi dhe politika që synojnë dhe mundësojnë emancipimin e krejt shoqërisë dhe respektimin e interesave, të identitetit dhe të dinjitetit të çdo individi”.

I gjithë filli lidhës i këtij botimi që ia vlen të lexohet me një frymë është Humanizmi, që përbën një filozofi progresiste mbi jetën e individit e të shoqërisë, e cila s’ka nevojë për autoritetin dhe të mbinatyrshmen. Humanizmi konfirmon aftësitë dhe përgjegjësitë individuale si individë në raport me veten dhe me shoqërinë, duke informuar e frymëzuar te çdonjëri nga ne parimet e një jete etike të shëndetshme, të jetuar mirë, të lumtur e të dobishme. Parime të tilla burojnë nga arsyeja, informohen nga eksperienca dhe inspirohen nga empatia, thuhet në shpjegimin e Tarifës.

Interesant është edhe deklamimi që bën Tarifa në emër të këtij grupimi kur shkruan se:

“Ne nuk jemi ideologë doktrinarë apo agjitatorë, as intelektualë sallonesh e kafenesh, por intelektualë publikë, që promovojmë racionalitetin, zhvillimin intelektual, mirëqenien e lumturinë personale dhe, bashkë me to, idenë e së mirës publike dhe realizimin e saj. Për ne, lumturia njerëzore nuk është një imperativ kategorik abstrakt (à la Kant) i një metafizike të moralit; ajo është pjesë e humanitetit tonë. Lumturia është një ide, një gjendje dhe një motiv në jetën e përditshme të individit dhe, si e tillë, ajo është ideali më i lartë i humanizmit”.

Me një dëshirë të madhe për një pjese të madhe të publikut, duhet t’i thuhet Mirë-se-vjen këtij botimi, pasi për masën e madhe nuk është thjesht lëmi ku do shpalosen ide, por të ndihmon të kuptosh shumë pikëvështrime sot moderne mbi humanizmin.

Humanizmi lindi në shekullin e XIV por është përhapur shpejt në të gjithë Evropën dhe megjithëse nuk e shmangu krejtësisht idenë e Demiurgut ka ndjekur traditën e lashtë greko-romake, pasi ringjalli besimin te njeriu, te aftësitë e tij për të arsyetuar dhe ngriti lart bukurinë fizike e shpirtërore të individit njerëzor dhe dinjitetin e tij.

Revista përpihet sepse nuk ka masë të madhe faqesh, ashtu si të grish të kuptosh botën ku jeton në anën më pozitive. Në një farë mënyre të largon nga negativiteti që përmbush të gjithë shoqërinë në ditët tona.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU