Ditën e emërimit tim, FIFA ishte një organizatë klinikisht e vdekur, por më shumë se dy vite më pas ajo u shndërrua në një organizatë plot me entuziazëm, pasion dhe me një vizion për të ardhmen, u shpreh sot Gianni Infantino gjatë Kongresit të 68-ë në Moskë.

”Dy vite e tre katër muaj pas emërimit tim, është ndoshta koha për kthyer kokën pas. Më 26 shkurt të vitit 2016, ditën e zgjedhjes, FIFA ishte një organizatë klinikisht e vdekur”, deklaroi Infantino.

”Sot FIFA është një organizatë e gjallë, e mbushur me entuziasëm, pasion, me një vizion për të ardhmen. Unë u zgjodha në bazë të një programi dhe së bashku me ju po përpiqem ta vë në praktikë”, shtoi ai.

Përtej ngritjes së reformave institucionale të rëndësishme pas skandalit të korrupsionit që çoi në dorëheqjen e paraardhësit të tij, Sepp Blatter (kufizim i kohëzgjatjes së mandateve, kontroll i integritetit të anëtarëve të Këshillit), Infantino u përpoq t’i rikthejë shkëlqimin e imazhit të institucionit.

”Ne duhet të respektojmë rregullat që kemi vendosur, të jemi transparent në burimet tona financiare, u shpreh ai në prani të 210 delegatëve të federatave anëtare të pranishme. E gjithë puna nuk ka përfunduar ende, jam mëse i vetëdijshëm. Vetëm kur ka një problem flitet për këtë gjë në media. Nëse diçka duhej të shkonte keq, sot mund të ndërhyhet në të gjitha fusha që na interesojnë. Jam krenar për çfarë kemi arritur që FIFA të jetë një organizatë e hapur dhe demokratike”, përfundoi ai.