Edhe këtë vit Tirana do ta shohë veten protagoniste të një sërë aktivitetesh sa kulturore aq edhe sportive.

Ester Likaj dhe Fabjola Muça nga Drejtoria e Promovimit në Bashkinë e Tiranës, të ftuara në emisionin “Intervista e Ditës” me Erjon Çikun, thanë se ardhja e Rita Orës dhe Ermal Metës janë vetëm fillimi, pasi janë një sërë aktivitetesh që do të mbahen në kryeqytet gjatë muajve të verës.

Mes tyre vlen të theksohen koncertet e këngëtarëve me famë botërore si Eleni Foureira, Daddy Yankee të cilët do të mbërrijnë në Shqipëri në fund të muajit korrik.

Ndërkohë që po ashtu në fund të gushtit do të ketë një koncert me muzikë elektronike ku do jenë të pranishëm disa nga Dj më të mirë botërorë.

Likaj dhe Muça theksuaj se të gjitha këto koncerte do të mbahen në sheshin “Skënderbej”, si hapësira më e madhe në kryeqytet, ndërsa shtuan se po ashtu aktivitete zhvillohen gjithnjë në hapësira të tjera si ajo e Amfiteatrit tek Liqeni Artificial.

Por jo vetëm kaq, pasi në kryeqytet ka edhe aktivitete që tashmë janë kthyer në traditë. Një dër këto është edhe Maratona e Tiranës, që edhe pse do të zhvillohet në Tetor, ka nisur organizimi me një interes të shtuar, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe atë ndërkombëtar./Gazeta Shqiptare/