Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitarovic shpreson për më shumë investime në Kroaci pas suksesit në Kampionatin Botëror 2018. Intervista e saj e parë pasi Kroacia u bë zëvendëskampione e botës iu dha Deutsche Welles.

Nga Srecko Matic

Me suksesin e jashtëzakonshëm në Kampionatin Botëror fillon për Kroacinë një „epokë e re optimizmi”, tha presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitarovic për Deutsche Wellen. Pas vendit në dytë në Kampionatin Botëror, „shumë njerëz interesohen tani për Kroacinë” dhe e kërkojnë vendin në Google. „Këtë duhet ta shfrytëzojmë tani, për ta pozicionuar vendin tonë si një vend të ri e dinamik, me njerëz të talentuar dhe ambiciozë.” Kjo nuk vlen vetëm për sportin, por edhe për ekonominë dhe shkencën. „Suksesin në Kampionatin Botëror duhet ta përdorim si një mundësi, që njerëzit të investojnë në Kroaci, të bëjnë biznes këtu, ta vizitojnë apo edhe të jetojnë në këtë vend”, thotë presidentja e zgjedhur direkt përmes votës qytetare.

Muzika e kontestuar e heronjve të futbollit

Në festën e ekipit kombëtar kroat heronjtë e futbollit morën Marko Perkovic, si këngëtar solist të grupit muzikor, Thompson, me qëndrime djathtiste, i cili udhëtoi në autobusin e hapur përmes Zagrebit. Koncerte të Thompsonit janë të ndaluara jashtë, sepse ky grup akuzohet për himnizim të regjimit fashist të ustashëve në disa këngë të tij. A nuk është problematike që pikërisht Thompson këndon në festën e fitores? „Ne duhet të respektojmë para së gjithash dëshirën e lojtarëve. Ata dëshiruan Thompson”, thotë presidentja kroate në intervistë për Deutsche Wellen. Sipas saj, ky „nuk është nacionalizëm”, por „krenari e pastër kombëtare”, por jo diçka që „drejtohet kundër të tjerëve”. Kolinda Grabar-Kitarovic shpjegon, se ajo nuk i ka dëgjuar asnjëherë këngët e grupit Thompson që janë kritikuar.

Para sfondit të dorëheqjes së lojtarit të ekipit kombëtar gjerman, Mesut Özil, Deutsche Welle e pyeti presidenten kroate, nëse sipas mendimit të saj ka një problem me racizmin në futbollin europian. „Ne në përgjithësi kemi një problem të vogël me racizmin dhe ksenofobinë në Europë, jo vetëm në sport”, u shpreh presidentja kroate. „Në stadiumet e futbollit kemi parë forma shprehjeje të racizmit. Qeveritë tonë duhet të ballafaqohen me këtë problem, duhet të luftojnë çdo lloj forme të racizmit, edhe për të pasur një efekt kërcënues ndaj tij. Duhet të respektojmë njëri-tjetrin, e jo vetëm në sport, por në përgjithësi.”

Kroacia është nga 1 korriku 2013 anëtare e Bashkimit europian. Në intervistën me Deutsche Wellen, kryetarja e qeverisë shprehu shpresën që të zgjidhen të gjitha çështjet bilaterale me shtetet fqinje në Ballkanin Perëndimor, me qëllim që edhe vendet e tjera të anëtarësohen në BE.