”Udhëtimi mbi botën e të gjallëve mund t’u ndodhë vetë ëndërrimtarëve, ose atyre që ushqejnë vetëdijen me të papriturën e së nesërmes, apo me fuqinë për të shndërruar një llagam të hullisë njerëzore në një përfytyrim që vë në lëvizje dhe artikulon ndërgjegje”.

Me këto fjalë e nis librin e tij artisti Vladimir Myrtezai, të cilin e ka titulluar “Zahiretë”, i cili paraqet për lexuesin si një udhëtim vetjak ku bota përsërit ciklin e vet me ngjyrime të pangjashme, duke marrë shkas më shumë drejt aktit të çkodimit të njeriut sesa përfytyrimit të tij për të kapur të ardhmen, që do na dukej aq e papritur, si në një stepje për të kaluar diku.

Lexuesi në këtë libër, i cili vjen si botim i shtëpisë botuese “Onufri”, do të përjetojë një udhëtim ndryshe të qënies si një përfytyrim ciklik për t’u zhbërë në mijëra forma të bëra me pluhurin e jetës, për t’u kthyer në një shenjë e cila do të mbjellë sërish elemente humane për të rireaguar si në një deja vu.

Autori i librit Vladimir Myrtezai në një prononcim për ATSH-në u shpreh se, “një libër i ri është një lajm i mirë jo vetëm për një autor, por dhe për lexuesin. E kam përgatitur opinionin publik që po përgatis librin e tretë dhe më pas kam prap një libër tjetër, pra jam në një zonë të mirë krijmtarie”.

“Libri nuk tingëllon provokativ në opinionin ku do hidhet për t’u lexuar, por ka një karakter disi më kritik dhe studimor. Është ndarë në tre elementë, në ese, në një format të cilat i quaj fenomene dhe më pas vjen me profile të spikatura që mendoj se duhet të bëhen pjesë e opinionit publik ku duhen rishikuar dhe një pjesë me intervistat e mia, që mendoj që janë më të mirat”, – tha Myrtezai.

“Titulli i librit duket si tradicional, por në fakt ka një tingull shumë tërheqës si fjalë, sepse tashmë jemi në territorin e fjalës dhe në këtë territor ka shumë konsum në tituj, në patetikë”, – u shpreh autori, Vladimir Myrtezai.

Ai shtoi se “mendoj se duke qenë dhe vetë pak tip i tërhequr dhe lexuesi i këtij libri do të jetë disi më i veçantë dhe “Zahiretë” do t’i tërheqë njerëzit, sepse duket si term i konsumit të përgjithshëm. Gjithashtu titulli ka të bëjë dhe se libri është i shpërbërë nuk është në një gjuhë, në një format pra, nuk është në një zhanër. Pra kjo do t’i shkonte mirë si një shumë produktesh, për të cilat kush është i interesuar do të mund t’i ketë në bibliotekën e vet për t’i shfletuar.

Në fund autori u shpreh se “… titulli në fakt nuk e bën librin për të qenë tradicional apo bashkëkohor, por përmbajtja. Ky libër ka një përmbajtje herazi provokative, herazi në mënyrën dhe konceptin që unë kam për gjërat që jetoj. Libri ka territor interesant ku mund të shfletohet, ka gjithashtu dhe rishikim figurash të cilat e bëjnë interesant udhëtimin nëpër libër”, – përfundoi autori, Vladimir Myrtezai.

Ky libër është një udhëtim i pakontrolluar, spontan dhe me qejfin se mund t’i rrëfehemi vetes, po këtë herë nëpërmjet rileximit, si një lexues anonim.