Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ndodhet në Londër ku merr pjesë në Samitin e Londrës, takimi i pestë i Procesit të Berlinit. 

Takimi vijon sot me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

Në një intervistë dhënë për RTSH, Ministri Bushati tha se Samiti i Londrës zhvillohet vetëm pak javë pasi Komisioni Evropian ka publikuar strategjinë për zgjerimin ku skicon drejtimet kryesore të zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Sikundër ka parashikuar dhe disa instrumente për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përsa i përket sfidave të BE-së lidhur me krizën e migracionit Bushati u shpreh se qëndrimi i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet i njëjtë:

“Jemi për aplikimin e parimit të solidaritetit dhe proporcionalitetit, sipas të cilit, secili prej vendeve anëtare të BE dhe vendeve kufitare në këtë fenomen, duhet të japin mbështetjen dhe kontributin e tyre për ta kapërcyer këtë krizë.“-tha Bushati

Sa i takon marrëveshjes me Greqinë, Ministri Bushati qëndroi konform edhe me deklaratat e mëparshme ku shprehet se nuk duhet humbur kohë në këtë proces, sepse problematika tashmë është mbi 70-vjeçare, e stërnjohur dhe të gjitha opsionet janë shqyrtuar në tryezë.

“Besoj se takimi i sotëm mes kryeministrave Rama dhe Tsipras do të jetë një mundësi e artë jo vetëm për të shqyrtuar progresin e bërë nga ministrat e Jashtëm dhe ekipeve respektive teknike, por dhe për të përcaktuar linjat e drejtimit që duhet të jepen në këtë proces.”theksoi Bushati

INTERVISTA E PLOTË

Pyetje: Çfarë përcjell Samiti i Londrës? Është Samiti i pestë në radhë i vendeve të Ballkanit Perëndimor pas nismës së kancelares Angela Merkel.

Ministri Bushati: Samiti i Londrës për herë të parë sjell në tryezën e procesit të Berlinit çështjet e sigurisë, duke krijuar një lidhje më të mirë e më të shëndetshme mes sfidave me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor përsa i përket çështjeve të sundimit të së drejtës, çështjeve të sigurisë dhe reformave në fushën e sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Gjithashtu, Samiti i Londrës konkretizon dhe krijimin e fondit të garancisë për SME-të, apo bizneset e vogla dhe të mesme, në vazhdën e projekteve që janë dakordësuar përsa i përket procesit të ndërlidhshmërisë së rajonit tonë mes vedit dhe rajonit me Bashkimin Evropian.

Së treti, Samiti i Londrës zhvillohet vetëm pak javë pasi Komisioni Evropian ka publikuar strategjinë për zgjerimin ku skicon drejtimet kryesore të zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Sikundër ka parashikuar dhe disa instrumente për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, instrumente që do të përdoren nga ne së bashku me Komisionin Evropian dhe institucione të tjera financiare. Samiti i Londrës gjithashtu zhvillohet pak javë pasi në Sofje u rikonfirmua jo vetëm angazhimi politik i vendeve anëtare të BE përkundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor por, nga ana tjetër u diskutua dhe për planet konkrete, detajuese në fushën e ndërlidhshmërisë.

Gjithashtu, Samiti i Londrës, pavarësisht se zhvillohet në një kontekst të rënduar politik, në kushtet kur nga njëra anë Mbretëria e Bashkuar do të shkëputet dhe po shkëputet nga Bashkimin Evropian dhe nga ana tjetër, vetë vendet anëtare të BE po përballen me sfida nga më të ndryshmet, qoftë Brexit, kriza e refugjatëve dhe sfida të tjera që lidhen me të ardhmen buxhetore të Bashkimit Evropian. Por është një Samit që po zhvillohet vetëm pak ditë pasi vetë vendet anëtare të BE i dhanë dritën e gjelbër Shqipërisë dhe Maqedonisë për të shkuar drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim.

Pyetje: Z. ministër, një ditë më parë, ju diskutuat në panelet e këtij Samiti dhe për çështjet që kanë të bëjnë me migracionin. Cili do të jetë qëndrimi i Shqipërisë në lidhje me këtë çështje?

Ministri Bushati: Kjo është një çështje e lidhur ngushtësisht me sfidat e sigurisë që po përballet sot qoftë Ballkani Perëndimor, ashtu dhe vendet e Bashkimit Evropian. Është një krizë apo sfidë që kërkon një përgjigje sa më të harmonizuar dhe unifikuar nga të gjitha vendet që janë jo thjesht në frontin e parë të kësaj krize, por edhe nga vendet të cilat preken prej pasojave të këtij fenomeni të paprecedentë, të paktën që nga Lufta e Dytë Botërore. Qëndrimi i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet i njëjtë. Jemi për aplikimin e parimit të solidaritetit dhe proporcionalitetit, sipas të cilit, secili prej vendeve anëtare të BE dhe vendeve kufitare në këtë fenomen, duhet të japin mbështetjen dhe kontributin e tyre për ta kapërcyer këtë krizë.

 Një tjetër risi në këtë Samit janë edhe takimet dypalëshe që kanë qenë të shpeshta orët e fundit, raportet diplomatike dhe takimet zyrtare. Çfarë zhvillimesh priten së afërmi zoti ministër, dhe kur pritet të konkretizohet marrëveshja me Greqinë?

Ministri Bushati: Ne jemi në kontakte mjaft intensive në të gjitha nivelet me Greqinë, qoftë në nivel politik, diplomatik dhe teknik. Besoj se takimi i sotëm mes kryeministrave Rama dhe Tsipras do të jetë një mundësi e artë jo vetëm për të shqyrtuar progresin e bërë nga ministrat e Jashtëm dhe ekipeve respektive teknike, por dhe për të përcaktuar linjat e drejtimit që duhet të jepen në këtë proces. Ne kemi bërë hapa të qëndrueshëm përpara përsa i përket bisedimeve për një marrëveshje të re për kufizimin e zonave detare, një marrëveshje e re që do të udhëhiqet nga parimet e të drejtës ndërkombëtare publike, në fushën e detit, por mbi të gjitha një marrëveshje e re e cila do të ishte e drejtë dhe e zbatueshme për dy vendet tona. Nuk është një proces i lehtë, ka rezistencë politike në të dyja anët, qoftë në Shqipëri ashtu dhe në Greqi, por besojmë se me vendosmëri dhe vullnet politik të qartë, ne, në një të ardhme të afërt do të kemi produktet konkrete, qoftë për këtë marrëveshje, ashtu dhe për pjesën tjetër që përbëjnë elementët e paketës që ne po diskutojmë me Greqinë.

Z. Ministër, të themi, këto pikat gri, ose kjo rezistenca ka të bëjë me çështje teknike apo qëndrime politike, më së shumti?

Ministri Bushati: Më së shumti janë qëndrime politike që vijnë qoftë nga segmente të caktuara në Tiranë, ashtu dhe në Athinë, të cilat ose preferojnë status quo ose janë kundër një perspektive të përbashkët evropiane të Shqipërisë dhe Greqisë. Por ne besojmë se me vullnet dhe duke u mbështetur tek parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe fryma evropiane, do të kemi mundësi që të vijojmë të hedhim hapa solid përpara me Greqinë, qoftë përsa i përket paketës që ka lidhje me të drejtën, ashtu dhe përsa i përket elementëve të tjerë të paketës që janë të një rëndësie thelbësore për marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

Parashikohet që kjo të konkretizohet në vjeshtën e këtij viti?

Ministri Bushati: Është folur shpesh për afate, u përcaktua pranvera, fillimi i verës, vera, vjeshta. Afatet janë shumë të rëndësishme sepse janë një mundësi për të mbajtur të motivuar ekipet respektive që punojnë dita ditës për të gjitha marrëveshjet që janë në tryezë, por është më e rëndësishme në këtë moment që flasim, cilësia e punës dhe cilësia e këtij procesi. Besojmë se ndajmë të njëjtin mendim dhe me palën greke, që nuk duhet humbur kohë në këtë proces, sepse problematika tashmë është mbi 70-vjeçare, e stërnjohur dhe të gjitha opsionet janë shqyrtuar në tryezë.

Pyetje: Z. Ministër, ka Shqipëria një qëndrim për pranimin ose jo të azilkërkuesve dhe a ka një vendimmarrje për të refuzuar çdo kërkesë për azil që vjen nga shtetas turq veçanërisht?

Ministri Bushati: Shqipëria ka disa detyrime ndërkombëtare dhe evropiane në fushën e azilit. Është një nga çështjet sensitive që ka lidhje të drejtë për drejtë me paketën e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, qoftë në aspektin ndërkombëtar dhe atë kushtetues, dhe Shqipëria aplikon këto norma pa i’u referuar nacionaliteteve përkatëse.