Nga Bedri Islami/

Në ditët e fundit, tre gazetarë, krejtësisht ose thuajse krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri, u bënë epiqendër e ngjarjeve, që mund të sillnin konflikte të ashpra ose rrethana enigmatike dhe, përmes të cilëve, edhe një herë, si në një përmbysje jo të rastësishme, u shpërfaq bota e mediave, ashtu si është.

Thuajse tri javë më parë, një gazetar, thonte investigativ, por i panjohur për shumicën e publikut, Olldashi, u shfaq si frymëzuesi dhe regjistruesi i çështjes Babale, nga e cila shpejtoi të tërhiqet shumë shpejt dhe, për më tepër, të lajë duart, si ai Pilati i hershëm, duke informuar se, vërtet regjistrimin e kishte bërë Babale, përmes një kërkese të tij, por ishte detyrë e Partisë Demokratike, ku kishte bërë dorëzimin që të vërtetonte nëse zëri pranë Babales ishte apo jo i vëllait të ministrit të punëve të Brendshme, Agron Xhafaj. Olldashi, i cili kishte bredhur me një trafikant për të blerë drogë dhe e kishin blerë atë, kur bëhej regjistrimi nuk punonte për asnjë media, ishte si të thuash në qejfin e tij, për një portal që paska hapur dhe, megjithëse ky është fillimi, ende edhe sot askush nuk e di se cili mbështeti financiarisht investigimin e tij, i cili, në rastin më të lirë, ka kushtuar 25 mijë euro.

I nxitur nga “olldashizmi” i medias dhe fama militante, në këtë rast është krejt e dukshme, pasi drejton një media militante, krejtësisht partiake, si është RD, shefi i saj, Bledi Kasmi, pasi u përlesh ashpër me policinë e shtetit, duke synuar të thyejë një kordon dhe të “zaptojë” një institucion, ku, si kishte pritur Berisha, do të vendoste flamurin e fitores, u godit me një shkop gome dhe u përgjak. Përgjakja e tij apo e kujtdo do është një akt i dënueshëm, nëse ndodh në secilën pëllëmbë të këtij vendi, por nuk është edhe aq kur sulmon institucionet, të cilat, dikur, një herë e një kohë, si forcë politike, i ke marrë edhe me ndihmën e autoblindave, të bashibozukëve të rekrutuar. Historia nuk u përsërit, ashtu si nuk u përsërit 21 janari, që dikush e kishte dashur me ngulm dhe që, pasi nuk ndodhi, hodhi shashkën e tij ”se mund të kishte pasur edhe të Vrarë”.  Të gjithë pamë dy skena të goditjes së gazetarit Kasmi: momentin kur ai printe turmat për të shkallmuar një institucion dhe goditjen me shkopin e gomës, që nuk ishte shkop hekuri.

Së treti, rasti Fevziu. Ndoshta më i njohuri në vend, pavarësisht se si e njohin njerëzit. Paga e tij e supozuar ose jo i la njerëzit pa mend e pa gojë, zgjoi edhe zilinë njerëzore, përballi faktin mes atyre që i shërbyen piramidës së pushtetit dhe atyre që ndoqën mendjen e tyre, duke qenë opozitarë me të gjithë, ashtu si reflektoi një të dhënë, e cila dihej e nuk thuhej, se, sa më fort të jesh në anën e pushtetit, aq më tepër je i përkëdhelur prej tij e jo vetëm moralisht. Fevziu ka krijuar profilin e tij. Të gjithë thonë – mos e shiko dhe të gjithë e shikojnë. Të gjithë politikanët e kanë mallkuar e përsëri të gjithë janë lutur aty. E kanë shikuar si një armik dhe kanë kërkuar miqësinë e tij. E kanë përqeshur pas shpine, për që thonin,  për mburracërinë e tij, por e kanë imituar në të njëjtën kohë. Një njeri që ka mbi 20 vite në ekran, që ka qenë pjesë e klaneve dhe që është i mërzitur se mund të mos jetë më – kërkon atë që është mësuar, të jetë pjesë e ligjërimit politik. Është në të drejtën e tij. Por…ka një por. Këtë e themi më pas.

Prej kohe, mes qeverisë dhe mediave, më saktë, mes shefit të qeverisë dhe medias , është ndezur një luftë, që herë bëhet e ashpër e herë tjetër zbutet deri në përkëdhelje. Fjala “kazan” e duke i shtuar edhe “ mediatik”, më shumë se sa ata që e gjejnë veten jashtë, i nervozon dhe i grumbullon ata që në të vërtetë janë brenda këtij kazani. Shkaku kryesor i kësaj përplasje kryeministrore – media është raporti i mediave me të vërtetën.

Është krejtësisht e logjikshme që, herë pas here, media dhe qeveria të kenë të vërteta të ndryshme, ose, më saktë, shikime të ndryshme mbi një ngjarje të caktuar. Ndryshe mund të shohë qeveria një zhvillim, një përplasje, një rast e ndryshe mund ta shohë atë media. Të shohësh ndryshe nuk do të thotë ta krijosh ndryshe, nuk do të thotë se je i saktë kur të gjithë lajmin e ndërton me “sipas informacioneve të mia” – e kush je ti?!!, “ si thanë burime të pakonfirmuara” – cili burim është i pakonfirmuar; “  zëra brenda partisë thonë se ..” – askush nuk mund të jetë i besuar duke u mbështetur në zëra anonimë.

Qëndrimi ndaj së vërtetës mund të jetë i ndryshëm, por ajo, e vërteta është një. Rasti Olldashi në gazetari, ashtu si u servir nga vetë ai, sidomos me intervistat e tij marrëzisht të dukshme, nëse do të kishte ndodhur në një vend europian, nuk do të kishte ngjallur stuhi ndaj qeverisë, por ndaj atyre që deshën të krijonin një stuhi të tillë, dhe në radhë të parë ndaj gazetarit e, më pas, ndaj mbështetësit të tij, që tani nuk më anonim.

Rasti i shefit të gazetës RD, Kasmi, është edhe më tej larg së vërtetës. Goditja ndaj tij është e dënueshme, por, kur merr përsipër të jesh militant dhe demonstrues force, ke hedhur poshtë një profesion, qoftë edhe përkohësisht, dhe, si në këtë rast, ke marrë mbi vete një detyrë tjetër. Opozita e solli rastin e tij në parlament. E ka shpënë edhe më tej, kudo që ka mundur. I është dukur si një rast i artë për të dëshmuar se në Shqipëri sundon dhuna e pushtetit, se gazetari u godit pikërisht me urdhërimin e Ramës dhe të Xhafës, se polici doli qëllimisht nga skalioni i dytë për të goditur atë, Kasmin dhe, pasi e kishte kryer detyrën, ishte tërhequr. Të jetë kaq i rëndësishëm ky gazetar dhe të jetë kaq budallaqe kjo qeveri? Një opozitë që, edhe sot e kësaj dite, merr në mbrojtje vrasjet e 21 janarit dhe sulmon qeverinë e sotme, se dje, në opozitë, ata i sollën njerëzit para qeverisë” dhe kësaj të fundit i lind e drejta t’i vrasë ata dhe të plagosë një gazetar koleg; se ishte e ligjshme të shpallte puçist që nga presidenti, kryeprokurori, shefi i shërbimit sekret, shefi i opozitës dhe bashkë me to edhe një grup gazetarësh që po pinin kafe qetësisht lart mbi turmë, nuk ka mësuar asgjë nga e vërteta dhe këtë nuk ka si ia përcjell edhe gazetarëve të saj.

Të presësh të vërtetën prej atyre që kanë sulmuar egërsisht “puçistët” e vrarë të 21 janarit, pikërisht nga një media që ka humbur maksimalisht reputacionin e saj dhe është katandisur drejt mbylljes pikërisht nga përçudnimi i së vërtetës, është e kotë. Është mjerimi i pritjes së një gazetarie të ndershme, solide dhe të perspektivës.

Çfarë po bëhet, ta zëmë me rastin “skandal” të përgjimit të shefit të opozitës? Askush nuk e besoi, as vetë Basha, që hodhi shashkën e radhës dhe pasi e hodhi ia mbathi për në Holandë. Të gjithë portalet, sidomos opozitare, e morën lajmin, e stërhollën, e rritën, e shijuan dhe as nuk u munduan të investigojnë nëse është diçka e vërtetë në të gjithë këtë kazan mediatik.

Nëse media ngulmon tek e vërteta mund të ndodhë si me një gazetare të re, pavarësisht se për cilin kanal punonte, e cila detyroi pikërisht shefin e qeverisë të largohej nga gjetja e së vërtetës. Ashtu si ia mori mendja asaj, ashtu si e perceptoi ajo vetë gazetarinë, por ballas. Në këtë rast, ajo që humbi, nuk ishte media, edhe pse mund të mos jesh dakord me kryeneçësinë e një gazetareje të re.

Media ka krijuar shtresimet e saj, i ka krijuar brenda vetë medias, si njësi, por edhe mes asaj dhe njerëzve të tjerë rreth e rrotull saj. Ka krijuar primarë, që bëjnë pjesë të ligjit të mediave, vendosin, sulmojnë, sajojnë, krijojnë, përdhosin, zbulojnë të vërtetën, ngritin e ulin ngjarje, e thonë të vërtetën apo e zhbëjnë atë; përmes mediave të ndryshme janë ngritur perandori shqiptare të financave; është përzier media dhe politika, çka mund të jetë e natyrshme, por edhe media dhe ndërtimi, çka nuk është e natyrshme.

Në majën e kësaj piramide janë një grup njerëzish, shumë nga të cilët janë vazhdim i “Koha Jonë” të dikurshme, asaj të para vitit 1998, përmes të cilëve duhet të kalojnë shumë të rinj për të qenë dikush dhe që i kanë thënë vetes të drejtën të gjykojnë gjithçka mbi këtë vend, pa e gjykuar kurrë veten.

Më i suksesshmi prej tyre është Fevziu. Nuk e kam takuar kurrë. Një herë, dy dekada më parë, ish drejtori i përgjithshëm i RTSH, Edi Mazi, miku im i fëmijërisë dhe ndër njerëzit më të lidhur me luftën në Kosovë, më ftoi të isha pjesë në një emision tek Fevziu. Asaj kohe, për vetë momentin, ishim në një gjysmë ilegalitet dhe nuk u takova. Ndjek rrallë emisionet e tij. Jo se kam alergji nga politika që ndjek apo nga egërsia që shfaqet herë pas here, e as nuk më josh sharmanti që duket tek ai në momentet e tij të dukshme.

Ai është në piramidën e pushtetit medial edhe me punë, edhe me përkëdhelje pushteti, edhe me luftë serioze edhe me përkulje serioze; ai është edhe bartës dhe shkarkues i etikës, por mbi të gjitha është një derë, të cilën, të gjithë duan ta mbyllin, por të gjithë shpresojnë të futen brenda.

Paga e tij e supozuar lemeriti shumë vetë. Mbi të gjithë gazetarët e zakonshëm, që lodhen shumë, që ndjekin ngjarje, që rropaten, që censurojnë veten për hatër të shefit që bën politikën redaksionale, pro që… në fund të muajit nuk janë të bindur nëse do të paguhen.

Këta njerëz, të varur nga buka e gojës, nuk e sjellin dot gjithë të vërtetën, edhe po të duan.

Fevziu duke qenë një majë e ngarkuar me enigmat e rritjes së tij, aq sa është dëshpërimisht i lakmuar, aq mund të jetë edhe shembulli se si mund të shkelësh mbi gjithçka, edhe mbi të vërtetën, për të qenë një bos i medias.(Dita)