Bashkia e Fierit po vijon ndërhyrjet në çdo njësi administrative për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe cilësinë e jetës së banorëve.

Punimet janë shtrirë edhe në një nga rrugët e brendshme në Patos Fshat, ku po ndërhyhet për të siguruar kushte më të mira për komunitetin.

“Problemet e mëdha infrastrukturore të mbartura deri sot ndoshta nuk zhduken plotësisht, se kemi ende shumë punë përpara, por është e sigurt që eleminohen deri në inekzistencë”, shprehet kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Edhe gjatë vitit 2018, Bashkia ka programuar disa investime në rrugët e qytetit dhe ato rurale përmes Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike.

Në krahasim me vitin 2017 është planifikuar që të rriten ndjeshëm investimet për ndërhyrje në rrugë, trotuare si dhe në rrugët rurale në gjithë territorin e bashkisë Fier.

Në total gjatë vitit 2017, Bashkia e Fierit ka ndërhyrë në rikonstruksionin e 13 akseve të brendshme të qytetit me vlerë totale prej 25,415,503 lekësh.