Boris Johnson jep dorëheqjen si Sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, pas dorëheqjes së Sekretarit të Brexit David Davis. Lajmi bëhet i ditur nga BBC.Këtë të hënë, Sekretari britanik për BREXIT-in David Davis, tha se ka dhënë dorëheqje për shkak të planeve “të rrezikshme” të qeverisë britanike për largimin nga Bashkimi Evropian, në një goditje për kryeministren Theresa May, që mund të ndërlikojë bisedimet edhe ashtu të vështira për BREXIT-in.

Sekretari Davis, që kishte bërë fushatë për referendumin e vitit 2016 mbi BREXIT-in, tha se marrëveshja e vështirë me kabinetin e saj paraqet “lëshime” përballë negociatorëve të Bashkimit Evropian, të cilët, shpreh drojën ai, thjeshtë do të kërkojnë më shumë.

Në letrën e dorëheqjes dërguar kryeministres May, sekretari Davis, shkruan se rrjedha aktuale e politikës është duke e bërë “gjithnjë e më pak të dukshme” idenë se Britania do të largohet nga bashkimi doganor dhe tregu i përbashkët.

Kryeministrja britanike, Theresa May, e cila nuk pajtohet me vlerësimet e zotit Davis, emëroi zotin Dominic Raab si sekretar të ri për BREXIT-in, disa orë pas dorëheqjes së sekretarit Davis.

“Mbretëresha ishte e lumtur të miratojë emërimin e zotit Dominic Raab në postin e sekretarit për largimin nga Bashkimi Evropian”, thuhet në një deklaratë të zyrës së kryeministres May.

Më pak se nëntë muaj kanë mbetur deri në largimin e Britanisë së Madhe nga blloku dhe Bashkimi Evropian e ka paralajmëruar Londrën se po ecën koha për të përmbyllur marrëveshjen e ndarjes.j.j