Ushqimi i konsumuar në dy dasma të ndryshme në të njëjtin lokal në qytetin e Elbasanit, i ka shkaktuar probleme dhjetëra dasmorëve të cilët kanë përfunduar në spital pasi janë helmuar.

Ata kanë qenë në dasma, të shtunën dhe të dielën, ndërsa ditën e djeshme u raportua për helmimin e 10 dasmorëve.

Numri i tyre është shumë i lartë se kaq, pasi dyshohet që të jenë helmuar rreth 80 persona, 36 prej të cilëve janë shtruar në spitalin e Elbasanit.

SIMPTOMAT E RASTEVE

Sipas nëndrejtorit të qendrës spitalore Luan Rapi në qendrën spitalore të Elbasanit janë paraqitur 36 persona me shqetësime nga këto 34 të rritur janë shtruar ne spitalin efektiv dhe dy janë fëmijë janë të shtruar në pediatri. Përveç të shtruarve gjatë mbrëmjes së djeshme ka pasur edhe të shumtë dasmorë që kanë marrë shërbime ambulatore .

Sipas mjekëve ata kanë pasur të vjella, marrje mendsh, temperaturë dhe diarre. Sipas mjekëve gjendja është nën kontroll, dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa vetëm dy raste janë dërguar për mjekim më të specializuar në Tiranë.

Dëshmitë e para për konsumimin e ushqimit lidhen me cilësinë dhe përgatitjen e tyre. Mësohet paraprakisht se lokali ku organizoheshin dasmat për dy ditë rrjesht kishte patur probleme edhe herët e tjera. Megjithatë personat e prekur kishin ngrënë nga të gjitha pjatat, kështu pista e hetimeve po zhvillohet me problemet që mund të ketë pasur ushqimi i servirur.

Mësohet se edhe AKU dhe shërbimi sanitar kanë ndërhyrë për këtë situatë duke marrë mostrat e ushqimeve që ndodheshin në lokal, si dhe kanë bllokuar aktivitetin e këtij biznesi deri në zbardhjen e ngjarjes.

Mediat raportojnë se mes të helmuarve në spital ndodhet edhe dhëndri.

Policia e Elbasanit është duke ndjekur që prej ditës së djeshme ngjarjen me helmimin në dy dasma, por ende nuk ka njoftim zyrtar për ngjarjen.