Politikani liberal serb, Cedomir Jovanovic, ka kritikuar politikën dhe shoqërinë serbe, se e kanë lënë vendin mbrapa, duke u marrë me gjëra siç ai i quan të çmendura. Përmend faktin se serbëve u pengon se shqiptarët e bëjnë shqiponjën.

Ai në një intervistë në televizionin N1 ka bërë edhe vet shqiponjën dykrenore të shqiptarëve, duke thënë se kjo u pengon serbëve dhe kjo është çmenduri. Jovanovic ka thënë se kjo nuk do të duhej të ndodhte, pasi për shqiptarët është një simbol kombëtar, sikurse për serbët që janë tre gishtat.

Jovanovic ka nisur një iniciativë në Serbi, për të krijuar një koalicion, të cilin ai po e quan ‘Koalicioni i Paqes’, përmes të cilit do të kërkohet arritja e një marrëveshje paqësore në mes të Serbisë dhe Kosovës, e cila sipas tij, do t’i hapte perspektivë vendit.

Ai edhe pse nuk është pjesë e pushtetit ka thënë se nuk sheh shpresë te opozita aktuale. Madje sipas tij, Aleksandar Vuçiç, është më modern se ata.

Jovanovic ka thënë se takimi në mes të Vuçiçit dhe Thaçit në shtator në Bruksel do të jetë shumë i rëndësishëm, dhe sipas tij, është shumë e qartë se vet jeta po imponon zgjidhjen e agonisë së Kosovës, siç e ka quajtur ai.

Sipas tij, është shansi i fundit që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje, dhe për të dy vendet të hapin një perspektivë ndryshe nga ajo e viteve të nëntëdhjeta./Zhurnal/