Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Gentian Osmani.

Prokurori Gentian Osmani në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, dhe kandidat për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kaloi sitën e vettingut një javë më parë dhe u konfirmua në detyrë nga KPK.

Njoftmi i plotë:

Në datë 2.8.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Osmani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, kandidat për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Sot, më datë 9.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentian Osmani.

Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë. Ky vendim ende nuk është njoftuar.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.