Kaç Islami thotë se ka marrë vesh që Bashkimi Europian nuk do të hapë negociatat për Shqipërinë në fund të qershorit.

Pavarësisht raportit pozitiv të KE-së, sipas tij vendim pozitiv s’ka për të pasur as vitin tjetër.

Ish-deputeti socialist dhe demokrat, ka arritur në përfundimin se diplomatët e lartë të BE-së, kanë gënjyer Europën, duke përmendur këtu ambasadoren në Tiranë Romana Vlahutin, shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Frederica Mogherini dhe euro-komisionerin e lartë Johanes Hahn.

Ish-ligjvënësi që u la jashtë parlamentit mendon se përgjegjës është kryeministri Edi Rama ku thotë se ky i fundit ka gënjyer.

Ndërkohë, në fund Islami e mbyll shkrimin duke thënë se uron që mendimet e tij të mos jenë të vërteta dhe kundërshton vetëveten.

Ndër të tjera ai shkruan:

“Nga mbledhja e ambasadorëve të vendeve të BE vjen mesazhi i parë:

Nuk do të ketë hapje të negociatave më Shqipërinë sepse nuk do të ketë një datë të përcaktuar për hapjen e tyre.

Nuk do të ketë hapje të negociatave me Shqipërinë sepse më parë duhet të plotësohen disa kushte, realizimi i të cilave do të vlerësohet/raportet nga Komisioni Europian.

Pra përfundimisht mund të thuhet: Nuk do të ketë për Shqipërinë hapje të negociatave pa kushte dhe në një datë tashmë të mirëpërcaktuar.

Ky është një lajm shumë i keq…

Një lajm shumë i hidhur për shqiptarët…

Një lajm jo i mirë për opozitën…

Dhe një lajm për të cilin Rama dhe qeveria nuk e çajnë fare kokën…

Përgjegjës është vetëm Rama dhe të gjithë ata drejtues që nuk kanë përmbushur detyrat e përcaktuara në dokumentet e Komisionit Europian që nga viti 2013.

Përgjegjëse janë; Korrupsioni qeveritar. Lidhjet e Ramës dhe të qeverisë së tij me krimin. Janë lidhjet e ngushta të Ramës, dhe ministrave të Brendshëm e të policisë me trafiqet dhe familjet mafioze.

Përgjegjësi ka edhe Romana Vllahutin që nuk ka thënë të Vërtetën!

Përgjegjësi kanë edhe Mogherini, edhe Hahn që mbi bazën e raportimeve të Vllahutin kanë përgatitur një raport ‘të pabesueshëm’ për disa nga vendet më të rëndësishme europiane.

Të vetmit që e pësojnë nga kjo vonesë janë shqiptarët e thjeshtë.

Dhe për më tepër, shqiptarët duhet të mësojnë se vitin tjetër janë zgjedhjet e parlamentit europian. Që ndryshe do të thotë që do të ketë deputetë të rinj në parlamentin europian. Do të ketë në vend të Junkerit një drejtues tjetër të Komisionit Europian.

Në vend të Mogherinit do të ketë një emër tjetër. Në vend të Johanes Hahn do të jetë një tjetër.

Pra dosja për Shqipërinë do të fillojë të qarkullojë në duart të individëve të rinj.

Kështu që nëse në fund të qershorit nuk do të ketë një datë për hapjen e negociatave, me shumë gjasa as vitin tjetër nuk do të ketë një datë për hapjen e negociatave.

Kjo është e VËRTETA e hidhur që ja ka përgatitur Rama së bashku me shokët e tij. Dhe ja kanë fshehur Vllahutin, Mogherini, Hahn por që kanë filluar tja zbulojnë Merkel, Makron dhe do ta mësojnë fatkeqësisht në fund të qershorit.

Ishallah kjo e gjithë s’është e vërtetë!” shkruan Islami.j.j