Nga Fatjona Mejdini

Samiti i Ballkanit Perëndimor në Londër, pavarësisht se ishte samiti i pestë që u mbajt në kuadër të procesit të Berlinit – që ka si synim afrimin e Ballkanit në Bashkimin Europian – ishte një afirmim se Britania e Madhe nuk do ta humbasë interesin për rajonin me daljen nga BE, por, përkundrazi, do e rrisë atë.

Kontributi i shtuar i Britanisë do të reflektohet në dyfishimin e fondit si mbështetje për Ballkanin, nga 41 milionë sterlina aktualisht, në 80 milionë në vitin 2020.

Të hënën pasdite samiti u eklipsua nga dorëheqja e ish-ministrit të Jashtëm, Boris Johnson, si pasojë e përplasjeve me kryeministren, Thereza May, mbi modalitetet e largimit të Britanisë nga BE.

Gjithsesi May të martën në takimin me kryeministrat e vendeve të Ballkanit dhe në konferencën për shtyp përforcoi bindjen se Britania do të ishte e angazhuar fuqimisht në rajon, brenda apo jashtë BE-së.

1. Siguria, prioritet absolut i Britanisë në Ballkan

Britania e Madhe duket se nuk e ka më luksin të tolerojë forcimin e krimit të organizuar në Ballkan, për shkak se ai shumë shpejt arrin në rrugët e qyteteve kryesore të këtij vendi.

Në raportin e Agjencisë kombëtare të Vlerësimit Strategjik për Krimin e Organizuar të vitit 2017 theksohej se “grupet shqiptare të krimit kanë formuar një profil të lartë në Britani… me influencë kryesisht të lartë në tregun e kokainës”.

Në raportin e vitit 2018 ritheksohej se “grupet kriminale nga Ballkani vijojnë të dominojnë në tregun me shumicë të kokainës”.

Nisur nga këto Britania mori vendimin të dyfishojë numrin e stafit për çështje të sigurisë në ambasadat e saj në rajon.

Nga ana tjetër, së bashku me qeverinë austriake dhe atë norvegjeze britanikët do të angazhohen për ngritjen e Observatorit Ballkanik kundër krimit të organizuar.

Kjo strukturë do të drejtohet nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, një rrjet i përbërë me ekspertë nga e gjitha bota me qendër në Gjenevë.

2. Shoqëria civile dhe të rinjtë, në fokus

Ditën e hënë qindra përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave rinore u mblodhën në Londër, jo vetëm për të ndjekur nga afër punimet e samitit, por për t`u angazhuar në debat me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ministrat e vendeve të Ballkanit iu përgjigjen pyetjeve që kishin të bënin me të ardhmen e të rinjve në Ballkan, sfidat e bashkëpunimit, planet për zhvillim dhe lirinë e medias.

Përfshirja e këtyre dy kategorive në vendimmarrje dhe kontrollin e saj duket se do të jetë një nga elementet kryesorë të drejtimit britanik të procesit të Berlinit.

Observatori Ballkanik pritet të jetë një instrument që do e lejojë shoqërinë civile të japë kontribut më efektiv në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Nga ana tjetër, në samit u deklarua dhe akordimi i një fondi prej 10 milionë sterlinash për të rritur aftësitë teknologjike dhe të punësimit të të rinjve nga i gjithë Ballkani.

3. Ballkani ftohet në tregjet britanike

Së bashku me të rinjtë dhe shoqërinë civile në samit u ftuan gjithashtu 20 sipërmarrës nga i gjithë Ballkani për të treguar se çfarë mund t`i ofrojnë tregut britanik.

Gjatë samitit ministrja e Tregtisë, baronesha Fairhead, deklaroi dhe përfshirjen e vendeve të Ballkanit në Programin e Tregut Global të Sipërmarrjes, strukturë kjo që do t`u ofrojë këshillim dhe udhëzime kompanive që të mund të kenë investime të suksesshme në Britani.

Gjatë vitit 2016, vëllimi tregtar i Britanisë me vendet e Ballkanit ishte 2.25 bilionë sterlina dhe kjo vlerë pritet të rritet edhe më shumë me masat e marra.

4. Greqia forcon rolin në rajon

Arritja e marrëveshjes së emrit me Maqedoninë ka bërë që qeveria e kryeministrit grek, Alexis Tsipras, të shihet në Europë si një faktor i rëndësishëm stabiliteti për Ballkanin.

Nisur nga kjo Tsipras u ftua të ishte pjesë e punimeve të samitit duke zhvilluar aty dhe disa takime bilaterale, si ai me kryeministrin, Edi Rama, në lidhje me marrëveshjen e re shqiptaro-greke që po negociohet.

Zgjidhja e çështjeve bilaterale mes vendeve në Ballkan është një nga pikat kryesore në agjendën britanike, nisur nga fakti se zgjidhja e këtyre problemeve konsiderohet më e lehtë, teksa vendet janë duke negociuar për anëtarësim sesa kur ato janë pjesë e unionit.