Bileta kinemaje, dërgim ushqimi, qethje, mësime joge, kupona, riparime shtëpie, porosi dhe transport. Këto janë një pjesë e asaj që konsumatorët kinezë kanë mundësi të blejnë dhe prenotojnë përmes vetëm një aplikacioni.

Kompania kineze Meituan Dianping, e cila është e specializuar në shitjen e një varieteti të madh shërbimesh, duket se do të jetë një nga kompanitë që do të kenë listimin më të lartë në bursë këtë vit. Kompania arkivoi një kërkesë për listim dhe IPO në Bursën e Hong Kongut.

Meituan Dianping nuk tregoi se sa parashikon të mbledhë, por raportet tregojnë se synohet një ofertë publike prej 6 miliardë dollarësh dhe një vlerë tregu prej 60 miliardë dollarësh. Kjo do ta afronte vlerën e kompanisë me atë të Xiaomi, i cili pret gjithashtu së shpejti një listim në bursën e Hong Kongut.

Modeli i biznesit i gjigandit kinez duket se është një përzierje kompanish të ndryshme. Kjo vjen edhe për faktin se kompania lindi si një bashkim i dy startup-eve kineze Meituan dhe Dianping në vitin 2015. Kompania e parë operonte në tregtinë online duke grupuar shitës mallrash dhe shërbimesh të ndryshme, ndërsa kompania e dytë ofronte listime restorantesh dhe vlerësime.

Kompania e përbashkët përfitoi nga bum i bizneseve teknologjike në Kinë për t’u zgjerua më tej në hapësirën “online-to-offline”, një term që nënkupton se mund të bëhet blerja online e shërbimeve si ushqime apo masazhe.

Dita tipike e një përdoruesi të Meituan Dianping përfshin hapjen a aplikacionit për të parë se cila qendër tregtare është më pranë. Më pas ai gjen një ofertë për xhaketa nga një kompani veshjesh.

Ai përdor Mobike, kompani të cilën Meituan e bleu në fillim të vitit, për të shkuar tek qendra tregtare. Përmes ofertës së aplikacionit ai përfiton zbritje për xhaketën që kërkonte. Më pas ai prenoton një tavolinë në një restorant sushi dhe pas dreke rezervon edhe një takim me një stilist flokësh. Pas qethjes, ai blen bileta për filmin e darkës.

Kompania raporton një xhiro prej 5.2 miliardë dollarësh në vit dhe një volum transaksionesh të kryera në aplikacionet e saj prej 55 miliardë dollarësh. Gjithsesi kompania raporton ende humbje operative, por të cilat është duke i ngushtuar vit pas viti.

Në të ardhmen kompania planifikon edhe zgjerimin me një shërbim transporti të ngjashëm me Uber.(scan).J.J