Komiteti Rajonal i Turizmit për qarkun e Vlorës u mbajt këtë herë në Finiq të Sarandës.

Vende si Finiqi dhe zona të tjera turistike, duhet të promovohen dhe zhvillohen shumë më shumë, deklaroi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në mbështetje të qëndrimit se pasi kemi mundur të sigurojmë turizmin e verës, të detit dhe të rërës, duhet të kemi fokusin më fort edhe tek turizmi alternativ.

“Nxitja e agroturizmit dhe investimet në destinacionet turistike do të jenë një mbështetje e fortë për turizmin klasik”- deklaroi ai.

Ai gjithashtu deklaroi se po punohet për të krijuar një rrjet më të mirë agroturistike, duke shfrytëzuar lehtësitë fiskale të miratuara në parlament për ngritjen e strukturave agroturistike. “Bashkë me agroturizmin, na duhet të fokusohemi edhe tek resurset tona historike, kulturore e natyrore”, shtoi më tej Klosi.

“Ka ardhur koha që shumë prej destinacioneve të rëndësishme t’i nënshtrohen projekteve për t’u shndërruar në destinacione turistike europiane”. Ndër projektet, ministri Klosi përmendi Syrin e Kaltër, një nga pikat më të rëndësishme turistike në Sarandë, do të jetë një prej destinacioneve që do t’i nënshtrohet ndërhyrjes nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Gjatë takimit me përfaqësues të pushtetit lokal dhe operatorë turistikë, ministri Klosi vuri theksin në pikat pozitive të zhvillimit të sezonit në qarkun e Vlorës, ku sinjalistika e mjeteve lundruese dhe vendosja e rojeve në plazhe kanë reduktuar ndjeshëm pasojat dhe kanë rritur cilësinë e shërbimeve.