Komiteti Rajonal i Turizmit për qarkun e Vlorës u mbajt këtë herë në Finiq të Sarandës. Vende si Finiqi dhe zona të tjera turistike, duhet të promovohen dhe zhvillohen shumë më shumë, deklaroi Ministri Klosi, në mbështetje të qëndrimit se pasi kemi mundur të sigurojmë turizmin e verës, të detit dhe të rërës, duhet të kemi fokusin më fort edhe tek turizmi alternativ.

“Nxitja e agroturizmit dhe investimet në destinacionet turistike do të jenë një mbështetje e fortë për turizmin klasik”- deklaroi ministri Turizmit dhe Mjedisit.
Ministri Klosi deklaroi se po punohet për të krijuar një rrjet më të mirë agroturistik, duke shfrytëzuar lehtësitë fiskale të miratuara në parlament për ngritjen e strukturave agroturistike. Bashkë me agroturizmin, na duhet të fokusohemi edhe tek resurset tona historike, kulturore e natyrore, shtoi me tej Blendi Klosi.

“Ka ardhur koha që shumë prej destinacioneve të rëndësishme t’i nënshtrohen projekteve për t’u shndërruar në destinacione turistike europiane”. Ndër projektet, ministri Klosi përmendi Syrin e Kaltër, një nga pikat më të rëndësishme turistike në Sarandë, do të jetë një prej destinacioneve që do t’i nënshtrohet ndërhyrjes nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Gjatë takimit me përfaqësues të pushtetit lokal dhe operatorë turistikë, ministri Klosi vuri theksin në pikat pozitive të zhvillimit të sezonit në qarkun e Vlorës, ku sinjalistika e mjeteve lundruese dhe vendosja e rojeve në plazhe kanë reduktuar ndjeshëm pasojat dhe kanë rritur cilësinë e shërbimeve.

Fjala e ministrit Blendi Klosi
Kjo verë na dëshmoi që ne duhet të jemi shumë më shumë të përgatitur për një turizëm alternativ, për të qenë mbështetje e turizmit klasik. Ne na duhet me shumë forcë që atë cfarë kemi folur për nxitjen e agroturizmit, e cila afron ushqimin tradicional të zonës, produktet bio të hoteleve të vogla dhe bujtinave që mirëpresin turistët ne duhet ta shohim me shumë vëmendje që viti i ardhshëm të na gjejë me një rrjet agroturistik shumë më tepër të zhvilluar edhe si pasojë e lehtësive fiskale që ne tashmë i kemi kaluar në parlament, në përgatitje të sezonit turistik.
Ministria e Turizmit së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit po shikojnë me shumë shpejtësi mundësinë e ndërhyrjes në disa projekte madhore ku ndërhyrja në Syrin e Kaltër është jetike. Fondi Shqiptar i Zhvillimit shumë shpejt do të shpallë procedurat për ndërhyje komplekse në Syrin e Kaltër dhe në disa zona të tjera, por po përmend Syrin e Kaltër sepse është një destinacion shumë i rëndësishëm turistik, që të kemi mundësinë që të afrojmë një destinacion europian për turistët.