Lëvizja Socialiste për Integrim që prej zgjedhjeve të vitit të shkuar, vijon të përballet me largime masive nga strukturat e saj.

Ka qenë deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj e cila ka rishfaqur edhe njëherë krizën e brendshme.

Ajo ka sulmuar deputetin Robert Bitri përmes një postimi në ‘Facebook’ në lidhje me votimin për Teatrin Kombëtar, ku Bitri votoi në vend të deputetit Vangjel Tavo.

Teksa e ka quajtur “rilindas të vonuar”, Mehmetaj ka kërkuar që Bitri të largohet nga LSI.

“Rilindasi i vonuar, alias Robert Bitri …

Nuk kishte se si të mos bëhej sërish protagonist i shëmtisë së maxhorancës në përpjekjen për të prishur teatrin, edhe rilindasi më i ri i rilindjes së vjetër të Edi Ramës, përkatësisht Robert Bitri!

Sepse, megjithëse i ka sytë në ballë, e megjithëse nuk ka shfaqur simptoma çorientimi, nuk na ka dhënë ndonjë shenjë se nuk di as shkrim e as këndim, aq sa për të mos lexuar emrin e tij në kartën e vet apo edhe në monitorin e sallës së Kuvendit!

Mungesë integriteti, karakter të dyfishtë, moral të denjë për një rilindas shëtitës!

Ky është portreti i Robert Bitrit, rilindasit më të ri të rilindjes së vjetër të Edi Ramës, i cili nuk ka se përse të qëndrojë më as formalisht në rradhë me deputetët e LSI-së!”, shkruan Mehmetaj.