Qeveria shqiptare mori sot vendimin e krijimit dhe funksionit të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Kështu, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave miratoi krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, si person juridik publik në varësi të ministrit përgjegjës për Shëndetësinë.

Në vendimin e qeverisë thuhet se operatori financohet nga Ministria përgjegjëse për Shëndetësinë, sigurimet shëndetësore dhe burime të tjera të ligjshme, ndërsa ky i fundit do të shërbejë për përdorimin në mënyrë eficiente të burimeve njerëzore e financiare, të aseteve dhe materialeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe shërbimin spitalor.

“Operatori është tërësia e institucioneve administrative dhe ofruese të shërbimeve shëndetësore, pjesë integrale të sistemit të ministrisë, që kontribuojnë në realizimin e qëllimit të përgjithshëm për mirëqenie shëndetësore, si një nga elementet e rëndësishme të mirëqenies së përgjithshme të qytetarit, nëpërmjet mbrojtjes së shëndetit dhe promovimit të jetesës së shëndetshme në mënyrë të organizuar e të barabartë për të gjitha grupet e popullatës. Misioni i Operatorit është ofrimi i shërbimit të kujdesit parësor e spitalor në përputhje me nevojat, standardet, protokollet dhe kërkesat e përcaktuara, duke garantuar ofrimin e plotë, cilësor e në kohën e duhur të shërbimit”, thuhet në vendimin zyrtar.

Operatori do të ushtrojë veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e vendit, në fushën e kujdesit shëndetësor parësor dhe shërbimit spitalor në nivel rajonal dhe bashkiak.

Po ku qëndron konkretisht përgjegjësia dhe puna e operatorit?

Operatori do të organizojë punën për ofrimin e shërbimeve bazë të shëndetit publik dhe të shërbimeve të tjera ndihmëse, sipas paketës së shërbimeve të shëndetit publik, do të organizojë punën për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor nëpërmjet veprimtarisë së qendrave/klinikave shëndetësore, do të organizojë punën për ofrimin e shërbimeve me shtretër në spitale rajonale e bashkiake, sipas standardeve dhe protokolleve të miratuara nga ministri, do të koordinojë administrimin e burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor parësor, shëndetin publik dhe spitalor, sipas legjislacionit në fuqi si dhe do të sigurojë se funksionet e lidhura me planifikimin, zbatimin, kontabilitetin dhe raportimin financiar kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ndërkaq, operatori do ta shtrijë veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e vendit, në nivel qendror nëpërmjet Drejtorisë Qendrore, në nivel rajonal nëpërmjet drejtorive rajonale dhe njësitë e ofrimit direkt të shërbimeve, të cilat përfshijnë njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, qendrat shëndetësore/klinikat dhe institucionet shëndetësore me shtretër/spitalet.

Drejtoritë rajonale krijohen kur mbulojnë jo më pak se 4000 punonjës. Ministri miraton me urdhër numrin e drejtorive rajonale, shtrirjen territoriale dhe qarkun ku do të ngrihet drejtoria. Drejtoritë rajonale raportojnë te drejtori i Përgjithshëm i Operatorit dhe kanë nën varësinë e tyre njësitë e ofrimit direkt të shërbimeve, të cilat përfshijnë njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, qendrat shëndetësore/klinikat dhe institucionet shëndetësore me shtretër/spitalet.

Drejtorët e drejtorive rajonale dhe drejtorët e spitaleve emërohen dhe lirohen nga ministri ndërsa operatori ka stemën, logon dhe vulën zyrtare.

Deri në fillimin e funksionimit të plotë të operatorit, sipas këtij vendimi, strukturat aktuale vazhdojnë funksionimin e tyre sipas strukturave dhe organikave të miratuara.

Ndërkaq, sipas vendimit të sotëm, vendimi nr.394, datë 27.7.2000, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës”, shfuqizohet. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.j.j