Përfaqësuesja kroate do të jetë e detyruar të bëjë ndryshime në ndeshjen më të rëndësishme të historisë së saj përballë Anglisë në Rusi 2018, për shkak të mungesave në formacion. Pas vizitave të sotme mjekësore është konfirmuar se Simo Vrsaljko do të mungojë për shkak të dëmtimit që pësoi në ndeshjen ndaj Rusisë.

Mbrojtësi i krahut është një nga elementët më cilësorë të Kroacisë dhe mungesa e lojtarit do të sjellë ndryshime në prapavijë duke kthyer me shumë mundësi veteranin Çorluka mes titullarëve për të zënë vendin e tij. Vrsaljko do të vazhdojë riaftësimin e tij, pasi nuk përjashtohet mundësia që të jetë i gatshëm për ndeshjen tjetër që do të zhvillojë përfaqësuesja kroate, qoftë ajo finalja e madhe apo ndeshja e vendit të tretë.

Kjo është mungesa e dytë për Kroacinë për këtë duel, duke llogaritur se përfaqësuesja në fjalë ka përballuar turneun me një futbollist më pak që në ditët e para. Daliç vendosi të përjashtonte nga skuadra sulmuesin Kaliniç, i cili nuk pranoi që të futej në lojë në minuta e fundit të ndeshjes kundër Nigerisë.