Kryeministrja britanike, Theresa May e cila mbledh sot kabinetin e ministrave është e vendosur të qëndrojë në pushtet pavarësisht kërcënimit të një mocioni mosbesimi pas dorëheqjes së dy personaliteteve me peshë të qeverisë, të cilët dolën kundër qasjes së saj në lidhje me Brexit.

Ministri i Brexit, David Davis dhe ai i Punëve të Jashtme, Boris Johnson, dy mbështetës të një shkëputjeje të qartë të lidhjeve me Bashkimin Europian u tërhoqën nga radhët e partisë, duke kritikuar May se ka pranuar t’i bëjë shumë lëshime palës tjetër.

Pas zërave për largim që qarkullonin prej javësh, David Davis u largua pas disa mosmarrëveshjeve nga qeveria të dielën në mbrëmje dhe Boris Johnson ndoqi menjëherë më pas të hënën pasdite shembullin e tij duke denoncuar një Britani të Madhe në rrugën e një ‘’gjysmë-Brexit’’ drejt shndërrimit në ‘’koloni’’ të BE-së.

Theresa May menjëherë i ka gjetur zëvendësuesit e tyre dhe po përpiqet të ruajë pozitën e saj në këtë furtunë politike. Por kërcënimi i një mocioni mosbesimi vijon të peshojë mbi të, nëse mbështetësit e një shkëputje të qartë me BE-në bashkohen për ta rrëzuar nga pushteti.

Sipas statuteve të partisë, një minimin prej 48 deputetësh është i nevojshëm për t’iu drejtuar komitetit 1922, përgjegjës i organizimit të brendshëm të Konservatorëve dhe nisjes së një mocioni mosbesimi. Më pas duhet vota e 159 deputetëve konservatorë nga 316 për të rrëzuar shefen e qeverisë, që me siguri nuk mund të ndodhë.

‘’Pavarësisht zhurmës së krijuar, aritmetika në Parlament nuk ka ndryshuar. Për momentin, ‘’Brexiters’’ e linjës së ashpër nuk janë aq të shumtë në numër për të larguar May nga pushteti dhe nuk mund të imponojnë versionin e tyre të prefereruar të Brexit në Dhomën e Komunëve’’, theksonte sot web-i ‘’Politico’’.

Theresa May nuk ka shpëtuar pavarësisht kësaj, megjithëse priten dorëheqje të tjera.

Disa mbështetës të Brexit u shprehën në kushte anonimati për të përditshmen ‘’The Guardian’’ se largimet do të vazhdojnë një nga një, deri sa kryeministrja të hedhë në koshin e plehrave (planin e miratuar të premten në takimin e qeverisë në rezidencën Chequers) ose ajo duhet të shkojë.