Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vijuar edhe një herë paralajmërimin për rreziqet e përdorimit të monedhave virtuale me ofertë fillestare(ICO). Në një njoftim të fundit AMF ka theksuar që investitorët duhet të tregojnë shumë kujdes, pasi emetimi i monedhave virtuale me ofertë fillestare (ICO), si rregull nuk është subjekt i ndonjë forme rregullimi dhe, rrjedhimisht, nuk është subjekt mbikëqyrjeje.

“Këto lloj instrumentesh së bashku me zhvillimet e fundit në teknologjinë financiare mund të përdoren për të promovuar apo nxitur edhe zhvillimin e skemave mashtruese piramidale apo Ponzi. Në këto kushte, investitori nuk gëzon të njëjtin nivel mbrojtjeje sikurse në rastin e produkteve financiare të ofruara nga subjekte të licencuara dhe të mbikëqyrura”, vlerëson AMF.

Po kështu autoriteti ka bërë edhe një herë një përkufizim të skemave piramidale apo të njohura si Ponzi.

“Një skemë piramidale/Ponzi është një investim mashtrues, promovuesi i të cilit premton pagesën e fitimeve të caktuara investitorëve ekzistues duke përdorur fondet që sigurohen nga kontributet e investitorëve të rinj. Organizuesit e këtyre skemave shpesh herë, mashtrojnë investitorët duke u premtuar, se mund të investojnë fondet e tyre në mundësi investimi të cilat premtojnë fitime të arta, me pak ose aspak rrezik”, thuhet në sqarimin e AMF.

Sipas AMF këto skema zakonisht premtojnë kthime të larta si mundësi për tu futur të parët në një industri që po rritet shumë shpejt. Ato përkufizohen nga gjashtë karakteristika kryesore.

“Kujdes! Investimi në një monedhë virtuale me ofertë fillestare, (ICO) mund të rezultojë si investim në një skemë mashtruese. Të gjitha këto skema kanë disa karakteristika të përbashkëta si:

Deklarojnë fitime të larta duke mos përmendur rrezikun e investimit Në fakt, investimet që ofrojnë fitime të larta zakonisht kanë më tepër rrezik për investitorët. Të gjithë investitorët kur marrin vendimin për të investuar diku, janë të ekspozuar ndaj rrezikut mbi humbjen e parave të tyre.

Deklarojnë fitime të qëndrueshme dhe të vazhdueshme Të gjitha investimet karakterizohen si rregull nga luhatshmëria, sidomos investimet me një shkallë të lartë kthimi kanë luhatshmëri më të lartë. Investimet, të cilat premtojnë kthime të qëndrueshme dhe të vazhdueshme, pavarësisht ndryshimeve të kushteve të tregut, mbartin rrezikun të rezultojnë në investime mashtruese.

Ofrojnë komisione për të tërhequr njerëz të rinj në skemë Shumë skema Ponzi/Piramidale mund të paguajnë komisione shtesë ndaj një investitori me qëllim që ai të tërheqë njerëz të tjerë në skemë. Ojektivi i tyre është rritja e pjesëmarrjes në skemë, në mënyrë që me fondet e investitorëve të rinj të paguhen investitorët më të vjetër në skemë. Duhet të jeni shumë skeptikë kur ju bëhen oferta të tilla, pasi mund të bëheni pjesë e skemës.

Strategji komplekse të investimeve Është e rekomandueshme të hiqni dorë nga investime të cilat nuk i kuptoni ose për të cilat mund të mos ju jepet një informacion i plotë.

Probleme me dokumentacionin Kini kujdes kur ju premtojnë një investim, por ju justifikohen me arsyen se ju nuk mund të shihni të gjithë informacionin mbi investimin. Kërkoni një informacion me shkrim të plotë dhe të detajuar. Në një emetim të mirëfilltë te letrave me vlerë, emetuesi është i detyruar t’i paraqesë investitorëve një dokument që quhet “Prospekt”, i cili përmban informacion të detajuar në lidhje me emetimin si dhe rreziqet që shoqërohen nga investimi në atë instrument. Në rastet e (ICO), ky dokument shpeshherë mungon.

Vështirësi në marrjen e pagesave Të jeni dyshues kur nuk paguheni në kohën e përcaktuar sipas parashikimit, ose kur keni vështirësi për të dalë nga investimi. Promovuesit e skemave piramidale shpeshherë i inkurajojnë viktimat të mos dalin nga investimet e tyre, duke premtuar fitime akoma më të larta, në qoftë se ata i riinvestojnë fondet e tyre”, vlerëson AMF./monitor/