Rusia, vendi organizator i Kupës së Botës 2018, do të luajë ndeshjen hapëse të veprimtarisë, kundër Arabisë Saudite, sot në Moskë, në ora 17:00. Menjëherë pas ceremonisë hapëse, në të cilën do të jenë këngëtarë si Robbie Williams, apo legjenda të sportit si Ronaldo, Rusia do të nisë turneun duke synuar fitoren e parë në Grupin A.

Ekipi i drejtuar nga Stanislav Cherchesov nuk fiton një takim që nga tetori i vitit 2017 dhe është përfaqësuesja me klasifikimin më të ulët të FIFA-s, nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse. Kombëtarja ruse pati edhe vërshëllima nga tifozët gjatë miqësores së fundit të luajtur ndaj Turqisë dhe ish-lojtari i kësaj kombëtareje, Andrei Kanchelskis, që ka qenë edhe pse e Manchester United në karrierën e tij, e ka cilësuar si ekipin rus më të dobët në histori.

Për më tepër vendasit do të përballen me dëmtimet e sulmuesit Alexander Kokorin dhe mbrojtësve Georgy Dzhikiya dhe Viktor Vasin, që ishin projektuar si titullar prej vitesh, në vend të vëllezërve Berezutsky, por nuk do të luajë në Kupën e Botës. “Duhet të tregohemi realistë, – tha sulmuesi Artyom Dzyuba. – Nuk jemi favoritë për të fituar Kupën e Botës, por duam të kalojmë fazën me grupe sepse luajmë në shtëpi. Ne duam t’i tregojmë të gjithëve, sidomos vetes tonë, që mund të luajmë një futboll cilësor. Duam që një komb i tërë të jetë krenar për ne. Jemi edhe një komb që adhuron futbollin, jo vetëm hokej, basketboll dhe futboll. Një fillim i mirë ndaj Arabisë Saudite do të ishte shumë i rëndësishëm.”

Kurioz është fakti se pas Rusisë, ekipi me renditjen më të ulët të FIFA, që do të marrë pjesë në “Rusi 2018” është rivali i radhës, Arabia Saudite, që vjen nga tre humbje në miqësore. Rusia dhe Arabia janë ndeshur vetëm një herë në të kaluarën, në miqësoren e zhvilluar në tetor 1993, kur sauditët fituan 4-2.

Që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia nuk ka kaluar asnjëherë fazën me grupe, në pjesëmarrjet në vitet 1994, 2002 dhe 2014. Gjithmonë, në këto tre edicione, e kanë mbyllur grupin në vendin e tretë.

Franca ka qenë ekipi i fundit që e ka fituar botërorin duke qenë vend organizator, ndërsa vendalinjtë kanë shkuar gjithmonë në raundin e dytë të Kupës së Botës, me përjashtim të Afrikës së Jugut në vitin 2010, kur nuk arriti të kalojë fazën me grupe.

Ky është Botërori i pestë për Arabinë Saudite, i pari që nga viti 2006, në tre edicionet e fundit është renditur në vendin e fundit të grupeve, ndërsa në vitin 1994 e kaloi fazën me grupe, por u eliminua nga Suedia.

Arabia nuk ka fituar asnjë nga 10 ndeshjet e fundit të luajtura në një Botëror, duke humbur tetë prej tyre dhe barazuar dy. Suksesi i fundit datën pikëshit më 29 qershor 1994 kur mposhtën 1-0 Belgjikën.

Vetëm në një nga 13 ndeshjet e luajtura në Botëror, Arabia nuk ka pësuar gol dhe ishte pikërisht sfida e lartpërmendur, ndërsa në shtatë nga nëntë ndeshjet e fundit në veprimtarinë elitare, nuk kanë shënuar gol.

Rusi – Arabia Saudite

Formacionet e mundshme:

Rusia: Akinfeev; Smolnikov, Kutepov, Ignashevich; Samedov, Zobrin, Gazinskiy, Zhirkov; Dzagoev, Smolov, Golovin

Arabia Saudite: Al Maiouf; Al Shahrani, Os Hawsawi, Om Hawsawi, Al Hardi; Otayf; Al Shehri, Al Jassim, Al Faraj, Al Dawsari; Al Muwallad Al Harbi