Kisha Ortodokse po mban mesha nëpër kishat dhe manastiret e Kosovës. Zyrtarë të lartë të Kishës që operojnë në Kosovë, siç bëjnë me dije mediat kosovare u flasin besimtarëve serbë për zhvillimet politike në Kosovë dhe Serbi, në një vend ku duhet të flitet vetëm për besimin.

I tillë është edhe Peshkopi Teodosije i Rashkës dhe Prizrenit. Në një meshë në Mitrovicën e Veriut në Kishën e Shën Dimitrit  ai është shprehur kundër ndarjes së Kosovës.

Aty kanë marrë pjesë qytetarë serbë të Veriut, por kjo ngjarje është bojkotuar nga Lista Srpska, e cila po i kundërshton aktivitetet e klerikëve të kishës kundër ndarjes së Kosovës.

Madje, Vuçiç dhe “Lista Srpska” po i quajnë agjentë të huaj dy zyrtarët e lartë të KOS-it në Kosovë.

Por, Teodosije, në këtë meshë thotë se është kundër ndarjes së Kosovës, por edhe kundër “shkëputjes së saj nga Serbia”.

“Me dhimbje po i dëgjoj disa që serbët të ndahen në ata të veriut dhe jugut. Nuk mund të ndahemi dhe nuk mund të ndahet e shenjta Kosovë dhe Metohi. Askush nuk mund ta ndajë nga Serbia jonë Kosovën dhe Metohinë, sepse pikërisht këtu janë themelet shtetërore dhe shpirtërore, pa të cilët vendi do të ishte pa identitet dhe histori”, ka thënë Peshkopi Teodosije.