Kush e tradhëtoi sot Sali Berishën!

0

Nga Flogert Muça/ 

Sot Sali Berisha ka marrë një goditje të fortë. Rrëzimi i kërkesës së Partisë Demokratike nga Gjykata Kushtetuese sa i përket kushtetueshmërisë së Vettingut, ishte një dush me ujë të ftohtë për Berishën, Bashën dhe Bylykbashin që mesa duket kishte vënë bast se do ta rrëzonte.

Vendimi i sotëm ka dy momente kyçe që nuk duhen lënë pa vënë re dhe thënë. I pari ka të bëjë më vendimin e gjyqtarëve, ndërsa momenti i dytë ka të bëjë me tradhëtinë.

Vota 6-2 në favor të Vettingut që BE e ka përkthyer në votë për çeljen e negociatave, është një lajm i mirë për Shqipërinë. Por nuk duhet të humbin toruan të quajmë hero asnjë nga gjyqtarët që votuan pro ligjit. Sepse ata duhet t’i nënshtrohen Vettingut që më pas të quhen dinjitozë ose jo. Sot gjyqtarët dhanë një vendim që ngjante më shumë si një formalitet, sepse kushtetueshmëria e ligjit ishte thënë e stërthënë nga SHBA, BE, Komisioni i Venecias.

Pasi matën pulsin e publikut dhe ndërkombëtarëve, gjyqtarët (ndoshta jo të gjithë, ja lëmë Vettingut) arritën në përfundimin se të gjithë i kishin kundër. E nëse do ta rrëzonin këtë ligj, fati i tyre s’do dihej, ndërsa nesë do ta aprovonin siç bënë, të paktën do mbahen mend për një vendim të drejtë.

Lajmi i mirë nga Kushtetuesja sot, ju mbyll gojën të gjithëve, i vë kapakun një debati mes dy kampeve. SHBA, BE dhe mazhorancë përballë Partisë Demokratike.

Mirëpo pikërisht këtu fillon tradhëtia. Ndaj Berishës sot është kryer akti më i rëndë i tradhëtisë. Votimi pro ligjit të vettingut është rreziku më i madh që Berisha ka parë deri më sot. Rreziku më i madh sepse ndryshe nga herët e tjera ku sa herë ka parë një kërcënim ai e ka neutralizuar ose asgjesuar me pushtetin që kishte, këtë radhë ai nuk ka asgjë në dorë. Sistemi i tij i drejtësisë sapo i dha OK pastrimit të vetes. Duke rrezikuar kështu jo vetëm veten e tyre, por drejpërdrejt edhe kumbarët politikë që i kishin emëruar. Pra doktorin&co, i cili sot nuk ka më fuqi të përdorë asnjë nga teknikat e tij që kemi parë në ngjarje si 1997, 21 janari e të tjera të shërbimeve sekrete.

Ndaj sot ai nuk ka asgjë për të thënë as në Kuvend, as në Facebook.

Doktori nuk është tradhëtuar asnjëherë në sytë e opinionit publik, sepse sapo ai e ka vënë re një gjë të tillë, ka vepruar duke mos e lënë të ngrejë kokë tradhëtia ndaj tij. Hera e parë që u tradhëtua ishte sot, e kjo ndoshta është tradhëtia që shkatërron përfundimisht rrjetin e ngritur prej tij, duke i rrezikuar gjithçka. Tradhëtia e parë ndaj tij, e ‘vrau’! /Lexo.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU