Opozita kërkoi sot në Kuvend anullimin e votimit të ligjit për “Teatrin Kombëtar”, me pretendimin se rezultati është manipuluar.

Në nisje të seancës së sotme plenare, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi njoftoi mbi kërkesën e deputetëve të opozitës për anullimin e këtij ligji të miratuar në seancën e datës 5 korrik.

“Lidhur me votimin e ligjit ‘Për Teatrin”, ngrihet pretendimi që ka shkelje dhe opozita konteston votimin e ligjit. Sot jam njohur me këtë kërkesë, dhe kam kërkuar të mblidhet Sekretariati për Procedurat e Votimit dhe të investigojë. Pas vendimit të tyre do të kem një qëndrim”, tha Ruçi.

Kuvendi miratoi në seancën e datës 5 korrik, ligjin “Për Teatrin” me 75 vota pro, në parim dhe nen për nen, ndërsa opozita bllokoi foltoren e parlamentit me kërkesën për të hedhur poshtë projekt-ligjin.

Kuvendi ka sot në rendin e ditës disa ligje të rëndësishme, ndër të cilat projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”; projektligjin “Për një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” dhe projektligjin “Për një shtesë në ligjin “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.

Po ashtu një tjetër projektligj i rëndësishëm është edhe ai “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.