NASA ka bërë të ditur se do të mbajë një konferencë për shtyp të enjten, ku do të zbulojë të dhëna interesante nga misioni i saj në Mars.

Ende nuk ka asnjë detaj se çfarë mund të ketë zbuluar NASA, pasi shkencëtarët e kanë mbyllur gojën dhe asnjë e dhënë nuk do rrjedhë në media deri të enjten.

Zyrtarisht NASA thotë se sonda e tyre ‘Curiosity’ ka sjellë të dhëna interesante shkencore.

Curiosity është dërguar në Mars në gusht të vitit 2012 për të studiuar klimën dhe gjeologjinë e planetit të kuq.

Po ashtu, qëllimi kryesor i sondës është hetimi nëse planeti ka ujë ose mund të mbajë forma të jetës.

Është e mundur që rezultatet e reja shkencore nga roboti të kenë lidhje me jetën në Mars.

Curiosity ka nisur gërmimet në sipërfaqen e Marsit për herë të parë para 18 muajsh dhe ka mundësi që NASA të japë të dhëna në lidhje me diçka që ka zbuluar sonda në thellësi.

Deri të enjten, miliona entuziastë në mbarë botën thjesht duhet të hamendësojnë dhe të mbajnë frymën./e.e