Qeveria i ka propozuar Parlamentit miratimin e projektligjit për disa ndryshime në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me qëllim zhvillimin e turizmit në zonat rurale, e shoqëruar kjo me nxitjen e prodhimit dhe tregtimit të produkteve lokale të zonës.

Ajo e sheh agro turizmin si një instrument zhvillimor të pashfrytëzuar në funksion të rritjes ekonomike dhe përmirësimit të ndjeshëm të kushteve sociale në zonën rurale të Shqipërisë.

Iniciativa e ndërmarrë synon të nxitë krijimin dhe rritjen e këtij biznesi, i cili pritet të ofrojë akomodim, ushqim, çlodhje, argëtim dhe veprimtari të tjera të lidhura me fermën ose njësinë agro kulturore.

Projektligji parashikon aplikimin e normës së reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar prej 6% nga 20% që është norma standarde për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, me përjashtim të furnizimit të pijeve, brenda strukturave që zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuara, si “agro turizëm.

Personi i tatueshëm, që aplikon shkallën e reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar 6%, është personi i regjistruar me NIPT/NUIS, vetëm për zhvillimin e veprimtarisë pritëse të certifikuar si “agro turizëm”.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama u ka drejtuar një thirrje emigrantëve, që të ardhurat e mbi 20 viteve punë t’i investojnë në shtëpitë e prindërve apo gjyshërve të tyre, në kuadër të projektit 100 fshatrat që përfshin “Rilindja Rurale”.

Rama ka theksuar se “është e padiskutueshme që këto investime do të mund të kthejnë mbrapsht fitim shumë më tepër sesa çfarë mund të fitohet sot në vendet fqinje”.

Po ashtu është çelur thirrja për të aplikuar për projekte të zhvillimit për bujtinat dhe për hotelet e vogla sipas standardeve të përcaktuara në programin e zhvillimit të agro turizmit, ku qeveria do të mbështesë financiarisht, qoftë familjet që duan t’i kthejnë shtëpitë në bujtina, qoftë ata që duan të investojnë si investitorë në ndërtimin e strukturave të agro turizmit.

Referuar përcaktimeve në legjislacionin e fushës së turizmit, “agro turizmi” nuk klasifikohet si strukturë akomoduese por parashikohet si veprimtari pritëse.

“Agro turizëm” është veprimtaria pritëse që zhvillohet në një fermë ose njësi tjetër agro kulturore, me qëllimin për të tërhequr vizitorë, shpeshherë duke u mundësuar atyre pjesëmarrjen në veprimtaritë bujqësore ose veprimtaritë e tjera ndihmëse që zhvillohen në atë mjedis bujqësor”, përcaktohet në projektligjin e dërguar në Parlament.

Agro turizmi mbështet zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm të zonave rurale nëpërmjet mbrojtjes së ambientit, ruajtjes së traditave dhe promovimit të produkteve tipike të zonës.

Shqipëria është vizituar nga një numër rekord të huajsh në vitin 2017, sipas statistikave të lëvizjeve të shtetasve të publikuar nga INSTAT.

Në total, Në Shqipëri hynë 5.1 milionë të huaj, me një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin e mëparshëm.