Delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për Çështjet Europiane, Bujar Osmani dhe shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov do të marrin pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Londër.

Sipas informacioneve qeveritare, çështjet kryesore të samitit do të diskutohen nesër pas pritjes nga kryeministrja britanike, Theresa May të shefave të delegacioneve të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian të pranishëm në samit si dhe të përfaqësuesve të Komisionit Europian.

Kryeministri Zoran Zaev në ditën e parë do të marrë pjesë në darkën e punës për shefat e delegacioneve dhe drejtorëve të Bankës Europiane Investuese, përfaqësuesve të Këshillit rajonal për bashkëpunim të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë këtij samiti është planifikuar edhe një takim i kryeministrit maqedonas, Zaev dhe delegacionit qeveritar me përfaqësuesen e lartë të BE-së për siguri dhe politikë të jashtme, Federica Mogherini.