Nga Arjan Syka/

Ditët e fundit, kur protesta kundër Teatrit të ri Kombëtar u braktis përfundimisht nga artistët, pas negociatës me kryebashkiakun Veliaj për të mos prekur truallin ku qëndron godina ekzistuese, duket se ka një aktivizim të një grupi të rinjsh që ‘shiten’ si aktivistë me mbështetje të fortë nga strukturat e Partisë Demokratike, për të fryrë në opinionin publik përshtypjen se shumica nuk e do ndërtimin e një teatri të ri bashkëkohor.

Këtij grupi iu bashkuan dy-tre ditët e fundit edhe Fatos Lubonja, Adi Krasta, Sonila Meço dhe Andi Bejtja, që në sytë e publikut njihen edhe si “katërshja e artë” e oligarkut italian, Françesko Beketi, themeluesi i ish Tv Agon, sot i falimentuar, i cili ende kërkohet nga drejtësia shqiptare me akuzën e pastrimt të parave.

“Katërshja e Beketit”, pra, Lubonja (me Skype nga Italia), Krasta, Meço dhe Bejtja, po shfrytëzojnë protestën e këtij grupi të rinjsh, të njëjtët që protestuan kundër këndit të lodrave te Liqeni, e të çdo projekti tjetër të Tiranës, për të kundërshtuar ndërtimin e Teatrit të ri, për hir të mërive me qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.

Por, nëse aktori i madh Robert Ndrenika, e shumë artistë të tjerë pas tij, e kanë kërkuar hapur, disa herë, ndërtimin e një teatri të ri bashkëkohor për të gjithë, sa moral ka “katërshja e Beketit” ta kundërshtojë atë?!