Nga Flogert MUÇA/

Nuk besoj se ka ndonjë qytetar sado skeptik qoftë, që është suprizuar sot kur ka lexuar se si Partia Demokratike dirigjonte të gjithë luftën kundër TK, duke përdorur për fat të keq emrat e disa aktorëve. Dalja në dritë e sms-ve ku persona nën ombrellon e PD-së ndiqnin nga afër zbatimin e planit për shkatërrimin e dëgjesës së radhës për TK mes kryebashkiakut  Veliaj dhe artistëve e arkitektëve tregoi edhe njëherë se TK për përdoret rëndë politikisht.

Çfarë ndodhi sot për ata që nuk kanë akoma dijeni?

Nga mesazhet e bëra publike dukej se si Taulanda Jupi, një nga koordinatoret e protestës se çadrës së Partisë Demokratike, i dërgon urdhra me SMS përmes Mirela Jorgos (avokates), duke u kërkuar që të ndërhyjnë dhe të marrin nën kontroll situatën dhe te prishin dëgjesën.

Mirëpo, kjo nuk përbën ndonjë habi për një qytetar që e ka ndjekur hap pas hapi procesin e konsultimit të TK-së dhe gjithë axhendën politike të ngulitur në të. Askush nuk ka më dyshime se Basha dhe PD sot e kanë pranuar edhe vetë që synimi i tyre është të pengojnë. Dhe nuk ju bën asnjë përshtypje pasi në llogaritë e tyre  politike ju rezulton se nëse do lejojnë Erion Veliajn të ndërtojë edhe TK siç ka bërë me Sheshin Skënderbej, Pazarin e Ri, Bulevardin e Ri, këndin e Lodrave të Liqeni…, në zgjedhjet e 2019 por edhe në ato të 2021 do të ketë një humbje të tillë në Tiranë që s’do e lërë të ngrejë më kokë.

Pikërisht për këtë arsye, Basha edhe pse të gjithë i ka kundër, nuk ndalet pasi mendon  që kostoja që do ketë nëse e lë Erion Veliajn të punojë do të jetë shumë më e madhe se kjo e sotmja.  Kjo natyrisht që ha debat, pasi shifrat e Veliajt sipas sondazheve të bëra publike janë rritur sa herë ka patur përplasje me PD-në për një projekt në Tiranë.

Por, pse Basha po bën autogol?

“Çmenduria: të bësh të njëjtën gjë përsëri e përsëri dhe të presësh rezultate të ndryshme”, thotë një shprehje e pavdekshme e gjeniut Albert Einstein. Edhe pse nuk ka asnjë lidhje me fizikën, sjellja politike e Bashës është fiks “të bësh të njëjtën gjë përsëri e përsëri dhe të presësh rezultate të ndryshme”.  Sulmet ndaj çdo gjëje që ndërtohet në qytet nuk i kanë sjellë asnjë rritje kuotash politike PD-së, megjithatë, Basha vazhdon sulmet duke i rritur kuotat Veliajt, të cilit i kanë më shumë duk punët edhe falë vëmendjes që i jep Basha.

Autogolin e Bashës e kanë kuptuar dhe e thonë të bindur edhe shqiptarët e Kosovës. Teksa diskutoja (për një intervistë që të cilën do e sjell së shpejti), me një mik që është edhe Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, i bindur dhe me pakëz nerv patriotik më tha: “Teatri Kombëtar duhet të jetë Kombëtar me plot kuptimin e fjalës e ai teatër që kemi sot nuk plotëson asnjë kusht për të qenë e tillë.  Teatri Kombëtar në Tiranë nuk duhet të jetë Teatri i Republikës së Shqipërisë, por i të gjithë shqiptarisë e shqiptarëve. Ndaj na duhet një teatër i ri. Çdo lojë politike me të, dëmton shqiptarët”.

Kërkesën e Skënderit për Teatrin Kombëtar duhet ta lexojë edhe Erion Veliaj që nesër të mos zhgenjëjë asnjë shqiptar, por më së shumti duhet ta lexojë Basha, i cili po e pengon atë./Lexo.al