Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së shpalli të martën listën e tarifave shtesë prej 25 % ndaj produkteve të importuara nga Kina, me vlerë prej 200 miliardë dollarësh amerikanë.
Gjatë një konferencë shtypi të mbjatur sot në Pekin, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Hua Chunying theksoi se veprimet e palës amerikane janë hegjemonizëm tregtar, sipas CRI-së.

“Pala kineze do të marrë kundërmasat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e veta të ligjshme. Kjo është një luftë midis unilateralizmit dhe multilateralizmit, proteksionizmit dhe tregtisë së lirë, fuqisë dhe rregullave. Pala kineze dhe bashkësia ndërkombëtare do të qëndrojnë në anën e drejtë të historisë dhe do të ruajnë së bashku sistemin e tregtisë shumëpalëshe e rregullat,” u shpreh Hua.

Lufta tregtare e filluar nga ShBA-ja ka shkaktuar shqetësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Presidentja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde vuri në dukje se ShBA-ja duhet të mbajë përgjegjësinë për “dëmet tarifore” që i ka shkaktuar sistemit të tregtisë botërore.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë Roberto Azevedo paralajmëroi nga ana e tij se sistemi i tregtisë globale po luhatet. Ish-kryetari i Rezervës Federale të ShBA-së Alan Greenspan është i mendimit se paguesit e vërtetë të tarifave do të jenë qytetarët amerikanë. Për këtë, Hua Chunying tha:

“Tani ekonomitë e vendeve të ndryshme janë të ndërvarura. Arritja e përfitimeve të përbashkëta është zgjedhja e duhur. Nisja e luftës tregtare do të dëmtojë interesat e dy palëve dhe të palëve të ndryshme në zinxhirin global të vlerës dhe prej saj nuk ka të fituar, përcjell Atsh.

40 % e mallrave dhe dy të tretat e produkteve të teknologjisë së lartë që eksporton Kina prodhohen nga kompanitë e huaja në Kinë. Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës ka thënë se pala amerikane po ‘hap zjarr’ ndaj mbarë botës, por edhe ndaj vetës. Fjalët e shumë personaliteteve të rëndësishme të qarqeve ekonomike ndërkombëtare tregojnë plotësisht se veprimet e palës amerikane janë humbje e arsyes dhe do të dëmtojnë vetë SHBA-në e të tjerët.