Kreu i bashkisë së Tiranës bashkë me ministren e Kulturës kanë zhvilluar një takim me artistët për çështjen e Teatrit Kombëtar, nëse godina duhet të prishet dhe të ndërtohet godinë e re apo të restaurohet ajo ekzistuese. Gjatë fjalës së tij, aktori Luftar Paja tha se ai është për ndërtimin e një Teatri të Ri Kombëtar dhe se artistët nuk duhet të merren me llacin e tullat.

“Unë jam për Teatër të Ri Kombëtar. Teatri i ri Kombëtar me të gjitha përmasat që i takon. Por që të kemi këtë teatër ne nuk duhet të merremi me llac dhe tulla se këto janë të ndara dhe nuk duhet të merremi ne me këtë. Ne si artistë duhet të shtojmë forcat për betonin artistik dhe për llacin artistik. Ja e bëmë Teatrin me të gjitha përmasat, por a kemi një ‘Romeo’ dhe ‘Zhuljetë’ për të demonstruar. Teatrit Kombëtar e ka emrin Teatër Kombëtar dhe nuk duhet të vijë vetëm ata që banojnë në Tiranë. Mendimi është që të mos ofendojmë njëri-tjetrin, por të respektojmë njëri-tjetrin”– tha Luftar Paja.