I ftuar në emisionin Opinion, arkitekti, piktori dhe artisti “ndryshe” Maks Velo ka rrëfyer një nga episodet më të errëta të jetë së tij, dënimin me 10 vite burg nga rregjimi absurd i asaj kohe, me akuzën:

Agjitacion e propagandë kundër sistemit.

Nga dënimi maksimal prej 10 vjetësh burg, Velo kreu vetëm 7 vjet e disa muaj.

Por cili ishte agjitacioni dhe propaganda që kishte kryer Velo?

Cili ishte raporti i tij me rregjimin dhe si u përgjua ai nga miqtë e tij më të ngushtë?

Artisti i abstraktes që jetoi në kohën absurdit ka rrëfyer disa fakte interesante nga jeta e tij duke i shoqëruar me dokumenta të përpiluara nga agjentët e sigurimit të cilët e ndiqnin Velon në gjithë aktivitetin e tij profesional, por edhe rutinor.

Pjesë nga intervista:

“Shoku im, Llambi Blido ka bërë 27 denoncime kundër meje dhe këta agjentët, kryesisht shtonin, gjëra që unë nuk i kisha thënë fare.”-thotë Velo

Blendi Fevziu: Domethënë agjentët sajonin gjëra kundër teje, që në të vertetë nuk egzistonin?

Velo: Po, madje e thonë ata vetë. Dhe e bënin këtë për të rënë në sy për mirë…që të merrnin vlerësime nga sigurimi dhe të thonin që…ja…Maksin e kapëm ne, etj.

Më tej Maks Velo rrëfen se miku i tij i ngushtë Llambi Blido, kishte ardhur në shtëpinë e tij me një çantë në të cilën ndodhej një pajisje përgjimi, por që Velos nuk i kishte shkuar fare ndërmend se ç’kishte çanta.

“Më vjen Llambi në shtëpi me një pajisje dhe aparaturat e transmetimit i kishin instaluar te “Koroveshi”, afër shtëpisë, sepse nuk ishte pajisje për distanca të largëta. Dhe kur është zbardhur përgjimi, pra pyetjet e Llambit me përgjigjet e mia, rezultoi se nuk kishte asgjë të vertetë me ato që ai i kishte raportuar sigurimit.”

Çfarë rreziku përbëje ti për regjimin, përveçse kërcëje me gjermanet dhe polaket dhe dashuroje artin modern?

E kishe sharë Enver Hoxhën?

-Jo, s’kam folur fare.

Velo: Blendi, që ta shpjegoj.

Ky raport me ka 5 faqe për mua dhe një pjesë e tij thotë:

“Në pikturat e tij mbizëtorojnë ngjyrat e errëta, të ndriçuara me ngjyrë violetë…pra sipas tyre unë nuk kisha të drejtë të përdorja ngjyrën violetë edhe të verdhë pasi ishin ngjyra reaksionare.”

Dosja e arkitektit dhe piktorit Maks Velo ishte një dosje me 250 faqe dhe plotë 100 tituj, në të cilët përfshiheshin raporte dhe përgjime.

Pas marrjes së dënimit Velo thotë se burgu në kampin famëkeq të Spaçit ishte një periudhë e errët, prej të cilës mban mend vetëm vrasje dhe vetëvrasje të të burgosërve për shkak të presionit të madh psikologjik që ai sistem u bënte njerezve.

Më tej Velo shton se pasi përfundoi dënimin, Sigurimi i shtetit i ka ofruar mundësinë e të qënit agjent i tyre dhe në këmbim do të merrte shumë favore, duke e rikthyer në vendin e punës që kishte, duke i dhënë para etj.

Por Velo e refuzoi kategorikisht dhe pas daljes nga burgu punoi si punëtor i thjeshtë për 5 vjetë, deri në vitin 1991.

l.g/Lexo.al