“Zero tolerancë për edukatoret abuzuese, kamera në institucione dhe agjentë të mbrojtjes së fëmijëve për të sinjalizuar çdo rast”

Rikthim i fëmijëve në familjet biologjike, krijimi i rrjetit të familjeve kujdestare dhe lehtësimi i procedurave të birësimit janë tre shtyllat e planit operacional 1-vjeçar “Fëmijët të Parët” që u prezantua sot nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.

Plani për mirërritjen e fëmijëve jashtë kujdesit prindëror parashikon ngritjen e 9 skuadrave të terrenit, në 9 Bashkitë ku janë të vendosura Shtëpitë e Fëmijëve, ku trajtohen sot 230 fëmijë. 28 prej tyre janë braktisur që në lindje; mbi 80% e fëmijëve kanë familje me probleme social- ekonomike dhe vetëm 1 fëmijë është jetim biologjik, pra që i ka humbur të dy prindërit.

“Për këtë arsye – tha Manastirliu – nis nga forcimi i familjes biologjike plani ynë për mirërritjen e fëmijëve pa përkrahje prindërore”.

“Nëntë skuadrat e terrenit, me përbërje punonjës sociale dhe psikologë, që do të vlerësojnë nevojat e familjeve biologjike, për të ndërmjetësuar për punësim, strehim social, kurse formimi profesional, paketa mbështetësë dhe shërbim ditor për fëmijët, në mënyrë që të sigurojmë kushtet për rikthimin e fëmijës sa më shpejt pranë gjirit të familjes. Sepse familja është zgjidhja”, tha Manastirliu.

Hapi i dytë është zgjerimi i kujdesit alternative me Familjet Kujdestare, që janë familje të dedikuara për trajtimin e fëmijëve deri në një sistemim përfundimtar.
“Ne synojmë të kemi ZERO fëmijë në institucione. Për këtë arsye, në bashkitë e Tiranës, Durrësit, Korçës, Vlorës, Sarandës dhe Shkodrës, aty ku kemi institucione rezidenciale të përkujdesit për fëmijët pa mbështetje prindërore do të nxisim jetesën në familje alternative, duke krijuar për herë të parë rrjetin e familjeve kujdestare, të gatshme për t’u kujdesur dhe për të krijuar kushte jetese në interesin më të lartë të fëmijës”, u shpreh Ministrja Manastirliu.

Sipas Ministres, paralelisht do të punohet për lehtësimin e procedurave të birësimit, në mënyrë që të garantojmë mundësinë që çdo fëmijë të ketë një familje.

Ministrja Manastirliu theksoi se pjesë e planit “Fëmijët të Parët” është edhe transformimi i institucioneve në shtëpi familje, të cilat do të zëvendësojnë institucionet klasike të përkujdesit, në mënyrë që të fëmijët të jetojnë në një ambient sa më të ngjashëm me mjedisin familjar.

Ministrja Manastirliu u ndal edhe te masat për eleminimin e fenomeve abuzive në shtëpitë e fëmijëve.

“Kemi nisur një vlerësim për çdo fëmijë që jeton në institucionet e përkujdesit. Nga ana tjetër, do të realizojmë testimin e të gjithë stafit që punon në institucione sa i takon kodit të sjelljes me fëmijët, etikës, menaxhimit të rasteve të fëmijëve në risk dhe për fenomenet e neglizhimit apo abuzimit do të ketë ZERO tolerancë”.

Ministrja lajmëroi edhe vendosjen e dy elementëve shumë të rëndësishëm për të parandaluar abuzimet e mundshme në institucionet e përkujdesit.
“Përveç vëzhgimit me kamera, ne do të përfshijme një element të ri në institucionet tona: Do të kemi ‘agjentët e mirërritjes së femijëve’, që do të kenë përgjegjësi të sinjalizojnë në kohë reale për çdo sjellje të palejuar, me qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga çdo situatë brenda institucionit”, tha Manastirliu.

Gjatë takimit, Milena, e cila është familje kujdestare për një vajzë 2 vjeçare pa përkrahje prindërore, bëri thirrje për t’ju bashkuar kësaj iniciative sepse, siç u shpreh ajo, sado kujdes të ketë një institucion, fëmija e ka vendin pranë një familje.
Maria, një nënë që është në procedurë birësimi të një vogëlushe 1-vjeçare shprehu dëshirën për ta patur sa më pranë familjes fëmijën e saj.

Gjithashtu Demokrati, një i ri që ka lënë institucionin, Shtëpinë e Fëmijës ‘Zyber Hallulli’ dhe është integruar në jetën sociale tregoi historinë e tij për të frymëzuar çdo të ri të institucioneve të përkujdesit, se mund t’ja dalësh, pavarësisht vështirësive.

Takimi i realizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u mbështet edhe nga UNICEF. Z. Roberto De Berndardo, përfaqësues i UNICEF për Shqipërinë vlerësoi planin, duke garantuar mbështetje për të mundësuar që çdo fëmijë të ketë një mundësi për të patur një familje.