Mungesa e gjatë ndër vite e mjekëve specialistë në spitalet rajonale, do të mund të plotësohet në fillimet e vitit 2019.

Kjo u bë e ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë një interviste televizive, ku theksoi rëndësinë e programit të bonuseve, që qeveria vendosi t’i dyfishojë në fillim të muajit janar të këtij viti.

“Në fillim të janarit, qeveria shqiptare mori një vendim për të dyfishuar masën e bonusit për mjekët që vendosin të ofrojnë shërbime klinike në spitalet rajonale. Duke u nisur nga fakti që numri i mjekëve specialist në spitalet tona rajonale është i ulët për arsye që dihet, të mungesës së specializimeve dhe deri në momentin kur ne plotësojmë këtë nevojë”, tha ministrja.

Sipas Manastirliut, “në fillimet e vitit 2019 ne plotësojmë nevojat tona parësore për mjekë specialist në spitalet rajonale”.

“Qeveria vendosi që të këtë dy programe, një ndër të cilat është programi i bonusit. Në kuadër të tërheqjes dhe të bërit të këtij programi më atraktiv, qeveria bëri dyfishimin e masës së bonusit që do të thotë: çdo mjek specialist që pranon të ofrojë shërbim në spitalet rajonale për shërbime të caktuara si kirurgjjia, kardiologjia, neurologjia dhe dy tre specialitete të tjera që kanë pasur problematika të plotësimit të nevojave, qeveria vendosi dyfishimin e masës së bonusit deri në 2.5 milionë lekë plus pagën e mjekut”, shpjegoi ministrja.