Ditë më parë ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, ka thënë se zgjidhja e çështjes së tej zgjatur të emrit do të jetë në të mirë të të dy vendeve.

Sipas tij, marrëveshja e mundshme Maqedoni-Greqi do të ishte në të mirë edhe të rajonit dhe tërë Evropës.

Në lidhje me atë se a do të jetë kjo marrëveshje e mundshme midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe se a do të ishte në të mirë edhe të rajonit dhe tërë Evropës, njohësi i çështjeve politike në Maqedoni, Sulejman Mehazi, ka thënë për “Bota sot” se si çdo herë që nga krijimi i shtetit të Maqedonisë vijnë e shkojnë diplomatët e huaj, të cilët bisedojnë për emrin, japin do deklarata pozitive por nuk bëjnë asgjë tjetër.

“Diplomatët e huaj sa më shumë që ta zgjasin problemin e emrit të këtij shteti aq më mirë për ata, marrin mëditje të majme e kthehen jo me veprime konkrete por me deklarata boshe. Diplomatët e huaj veprojnë sikurse gjykatësit që sa më shumë i zgjasin proceset gjyqësore aq më profitabile për vet ata. Sipas gjithë kësaj shihet qarrtë se Maqedonia është e do mbetet mollë sherri jo vetëm për BE, por edhe për SHBA-në e Rusinë. Stërzgjatje e tepërt e pagëzimit të emrit të këtij shteti na bënë të dyshojmë në të keqen e ekzistencës së kësaj republike. Shkurt e qartë politika maqedonase vetëm që bën manovrime diplomatike e asgjë tjetër. Mendimi ynë është se ata kurrë nuk do pranojnë të ndërrojnë emrin e Maqedonisë së bashku me kushtetutën për shkak se emri e kushtetuta e kësaj republike është i lidhur me identitetin kombëtar të tyre”, është shprehur njohësi i çështjeve politike në Maqedoni Mehazi./e.e