Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi ka folur për inkuadrimin e partisë politike që ai drejton në Qeverinë reformatore të Zoran Zaevit, Mmarrëveshjen Maqedoni – Greqi, referendumin për emrin, regjistrimin e popullsisë, bashkëpunimin me BDI-në e Ali Ahmetit, dhe për humbjen e PDSH-së në zgjedhjet e fundit lokale.

Duke folur për “Zhurnal” lidhur me Marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi thotë se ajo është historike dhe tepër e rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve dhe vet Maqedonisë.

“Marrëveshja është historike dhe tepër e rëndësishme. Pa këtë marrëveshje Maqedonia vazhdonte ta mbanë pikë pyetjen e madhe të jetë apo të mos jetë! Shpesh herë unë kur kam deklaruar, se Maqedonia rrezikon të mos ekzistojë nëse nuk arrihet deri te kjo marrëveshje, këto deklarata janë cilësuar si radikale dhe ekstreme, por kjo është një e vërtet. Përveç tjerave, zhvillimit ekonomik, perspektivës, integrimit që kanë pasur shtetet tjera të Ballkanit, marrëveshja bartë me vetë edhe një proces shumë të rëndësishëm, të harmonizimit të raporteve etnike, mes dy popujve, shqiptarëve dhe maqedonasve”, u shpreh Thaçi.

Ai midis tjerash, thekson se ë Ballkan në luftërat e fundit, problemet mes popujve u zgjedhën me vijë territoriale. E kemi pavarësinë e gjitha Republikave të ish-Jugosllavisë, fatmirësisht edhe pavarësinë e Kosovës dhe Maqedonia ngeli në kuadër të një eksperimenti të mundësisë të funksionimit të shtetit multietnik.

“Maqedonasit, pjesa më e madhe vazhdonin të kishin ëndrrën e tyre që të ngritin shtetin etnik të tyre në shekullin 21, ndërsa shqiptarët me plotë të drejtë vazhdonin ta kontestonin, pasi që mbi 30 për qind e popullsisë në këtë shtet janë shqiptarë dhe unë mendoj se edhe ky elementi i dytë në këtë shtrat të procesit integrues e gjejnë vetën. Çështja e ecjes përpara apo drejt civilizimit perëndimor për Maqedoninë vazhdon të jetë çështje jetike. Shqiptarët nga kjo marrëveshje përfitojnë, në radhë të parë, se e lënë pas vete frikën e këtyre 30 viteve që e kishin me të drejtë se ne shqiptarët e Maqedonisë mund të ngelim jashtë oborrit gjithëkombëtar, Shqipëria është anëtare e NATO-s, ndërsa në Kosovë NATO është aty…”, thekson Thaçi.

Kreu i PDSH-së, thotë se nuk ka kurrfarë mirëkuptimi për presidentin Ivanov, i cili refuzon të nënshkruaj ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Maqedoni-Greqi për çështjen e emrit.

Ndërsa lidhur me refuzimin e presidentit Ivanov që të nënshkruaj ligjin për Gjuhën Shqipe, Thaçi vlerëson se kjo është një politik bajate, cinike dhe ironike.

“Politikë bajate, politikë cinike, ironike! Këta njerëz a nuk e kanë idenë se duke kërkuar mirëkuptim prej neve shqiptarëve për fraxhilitetin e identitetit të tyre, bëjnë një veprim shumë të rëndë, na mohojnë neve identitetin, çështja e gjuhës është çështje identiteti. Këta individë, qoftë edhe Ivanovi, si do të duket ky para institucioneve ndërkombëtare, moderne para intelektualeve të vërtet, para njohësve dhe analistëve politik, qoftë të rajonit por edhe të Evropës. Një piskamë dhe vaj se jemi duke e humbur identitetin e në anën tjetër të mohosh identitetin e qytetarit tënd, çështja e gjuhës për shqiptarët është super identiteti”, vlerëson kreu i PDSH-së.

Thaçi thekson se ideja dhe platforma e PDSH-së dalë nga dalë është duke u realizuar edhe pse pjesërisht, por siç tha ai një pjesë e programit është duke u realizuar, që ka të bëjë me tendencën e fundit të integrimit.

Arsyeja kryesore se pse PDSH-ja i humbi zgjedhjet lokale, sipas Thaçit ishte mungesa e aleatit politik elektorat në palën maqedonase.