Policia Financiare e Palermos me mbështetjen operacionale të grupit të marinës të Messinës kanë konfiskuar më shumë se 20 ton kanabis sativa, 400 mijë litra naftë dhe anijen që i transportonte “Remus” që mbante flamurin panamez, theksoi në një komunikatë për shtyp Policia Financiare.

Në këtë operacion u arrestuan 11 anëtarë të ekuipazhit nga Mali i Zi. Anija, që lundronte në ujërat ndërkombëtare, u shoqërua në portin e Palermos për t’u inspektuar.

Pas nisjes nga Las Palmas në Gran Canaria, anija kishte deklaruar se do të udhëtonte drejt Tuzlas (Turqi), nëpërmjet Aleksandrisë (Egjiptit). Ajo monitorohej nga avionë të policisë financiare (Guardia di Finanza) dhe lundronte para brigjeve të Afrikës së Veriut./ATA