Pyetje të shumta kanë shoqëruar vlerësimin e figurës së Ali Pashë Tepelenës dhe rolit të tij në historinë moderne të Shqipërisë. Njerëz të ndryshëm të letrave, historianë, përkthyes, por edhe shpesh herë amatorë të historisë, duke iu referuar folklorit, gojëdhënave dhe leximit të veprave të udhëtarëve të huaj, kanë krijuar tashmë një fabul të një njeriu orientalist, të egër, mizor që kur veçohet fillon karrierën e vet si një hajdut i thjeshtë në malet e Epirit, për të përfunduar nëpërmjet vrasjeve, përdhunimeve dhe dredhive si zot i vërtetë i tij. Nuk mungojnë këtu edhe penelatat e fuqishme, madje me ngjyrime orientaliste të haremeve të tij, dashurive, historia e Frosinës, që paraqesin një figurë të degjeneruar dhe epshore të Ali Pashës, që s’ndalet para asnjë gjëje për të arritur qëllimet e veta. Portreti më i mirë, për këtë perceptim orientalist të figurës së Ali Pashës, nga ana e elitës evropiane të kohës, që vizitoi Pashallëkun e tij, por edhe nga shfrytëzimi me mjeshtëri nga vet Pashai i këtyre motiveve është trajtuar gjerësisht nga studiuesja Katherine Flamming në veprën e vet të mirënjohur “Bonaparti Mysliman”, çka e ka lehtësuar shumë terrenin metodologjik, për trajtimin e kësaj figure kontraverse në historinë e afërt të Epirit, Shqipërisë dhe Greqisë. Studime dhe vlerësime të ndryshme për Ali Pashë Tepelenën kanë dhënë edhe mendimtarë dhe aktivistë kulturorë të Rilindjes Kombëtare ku spikat Sami Frashëri, Gavril Dara i Riu, Elena Gjika , Faik Konica, Mit’hat Frashëri etj.j.j