Punimet në aksin Kashar-Vorë, janë faza e fundit e ndërhyrjes në autostradën Tiranë-Durrës të cilat mbyllen sot.

Drejtori i ARRSH, Afrim Qendro, tha për mediet se në 16 ditë është bërë e mundur që të rikonstruktohet aksi në pjesët më problematike të tij, dukë përmirësuar kështu ndjeshëm qarkullimin.

Qendro u kërkoi ndjesë qytetarëve për trafikun e shkaktuar, dhe tha se nga nesër gjithçka i kthehet normalitetit.

“Jemi në fazën përfundimtare të ndërhyrjes. 16 ditë pune duke shmangur fundjavën. Kjo ndërhyrje sot mbaron dhe përmirëson shtresat asfaltike dhe rrit elementët e sigurisë rrugore, nesër trafiku do të jetë normal dhe kjo rrugë do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, ndjesë për shqetësimin që ju kemi sjellë”, – tha ai.

Ndërhyrja emergjente në autostradë nisi dy javë më parë, ndërsa ashtu sikur kishte deklaruar, ARRSH mbylli punimet brenda afateve.